
Kryeministri Rama: Mbrojtja e territorit do adresohet me reformë të re ligjore
Prej disa ditësh në shumë zona turistike të vendit, si Theth dhe në Vlorë ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna nga baret dhe restorantet.
Aksioni i nisur në mesin e sezonit turistik po has kundërshtimi nga bizneset, ku në qytetin e Vlorës bizneset pranë zonës së Lungomares kërkuan ndërhyrjen e qeverisë për pezullimin e vendimit.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike pritet të zhvillohet edhe në qytete të tjera.
Kreu i qeverisë deklaroi sot se mbrojtja e territorit do të adresohet nëpërmjet një reformë të re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit.
Kryeministri Rama paralajmëroi edhe reforma të tjera në shërbimin e ujit të pijshëm, të barnave, të pastrimit etj.
“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, pohoi kryeministri Edi Rama.
Për drejtuesin e Institutit të Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali aksionet e fundit për lirimin e trotuareve, cilësohen nisma të centralizuara dhe politike të nisura shpesh nga kryeministri Edi Rama që nuk janë shprehje e një reforme urbane të menduar, por veprime reaktive, selektive dhe në shumë raste, të instrumentalizuara politikisht.
Haxhimali thekson se ato nuk adresojnë problemin thelbësor të mungesës së hapësirave publike, por i shtojnë zhurmë një qasjeje që i trajton qytetet si skena për veprimtari administrative, jo si sisteme të ndërlikuara sociale dhe urbane.
“Edhe në këto rrethana, ky “leksion” publik duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë aktorët — nga qytetarët dhe grupet e interesit, te institucionet vendore e qendrore, nga politika te pushteti ekzekutiv — për të kuptuar mesazhin thelbësor: hapësira publike është një e drejtë e përbashkët dhe përgjegjësi kolektive.
Për të ndërtuar qytete të jetueshme, Shqipëria ka nevojë për një politikë të re urbane, ku hapësira publike të mos shihet si “hapësirë e lirë për shfrytëzim”, por si një pasuri publike që i përket qytetarëve.
Koha për aksione selektive ka kaluar. Nevojitet një vizion afatgjatë, një planifikim urban gjithëpërfshirës, dhe një ndërgjegjësim i ri publik, që e kupton hapësirën publike si të drejtë, jo si luks”, pohoi ai. /Monitor(https://monitor.al/kryeministri-rama-mbrojtja-e-territorit-do-adresohet-me-reforme-te-re-ligjore/)
Më të lexuarat








