Drejtori i Policisë: Parkimi i dyfishtë do konsiderohet vepër penale që dënohet me burg
Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, përveç ndërtimeve pa leje dhe masave të marra për shkrimin e gjithë zinxhirit drejtues të policisë së Shkodrës foli edhe për parkimin e dyfishtë në rrugë, duke theksuar se nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht.
Tashmë, Proda thotë se parkimin e dyfishtë do të trajtohet si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.
Neni 293 i Kodit Penal, parashikon se “vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”
Fenomeni i bllokimit të rrugëve dhe parkimit dysh është shumë i përhapur sidomos në Tiranë, duke sjellë edhe më shumë trafik dhe bllokime të rrugëve. /Ekofin