Qeveria parashikon të reduktojë buxhetin për SPAK vitet e ardhshme
Është publikuar Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028, që përcakton ndarjen e buxhetit për tre vitet e ardhshme.
Është publikuar në Fletore Zyrtare një nga dokumentet më të rëndësishme buxhetore, Programi Buxhetor Afatmesëm, 2026-2028, që parashtron parashikimet sesi do të ndahet buxheti për tre vitet e ardhshme.
Ndërkohë që parashikohet rritje progresive për institucionet kryesore, në veçanti për Ministrinë e Ekonomisë për politikat e pensioneve dhe atë të mbrojtjes për angazhimet në rritje për buxhetin e NATO-s, bie në sy reduktimi i buxhetit për SPAK.
Pas rritjes së pësuar në vitet paraardhëse, në mbështetje të reformës në drejtësi, buxheti për institucionet e drejtësisë parashikohet në të njëjtat nivele, me përjashtim të SPAK që është në rënie nga 23 milionë euro këtë vit, në 18 milionë euro për çdo vit nga 2026-ta deri në 2028-ën.
Por si planifikohet të bëhet shpërndarja e buxhetit për institucionet për periudhën në vijim? Nëse këtë vit për institucionet shpenzimet janë të planifikuara në 4.7 miliardë euro në vitin që vjen rriten në rreth 4.8 miliardë dhe në 2028-ën kapërcejnë vlerën 4.9 miliardë euro.
Ministria e Ekonomisë do të ketë rritjen më të madhe të buxhetit, ku nga 570 milionë euro buxhet aktualisht do të rritet me afro 130 milionë euro deri në 2028-ën. Edhe buxheti i mbrojtjes nga 502 milionë euro do të rritet në 607 milionë euro në vitin 2028.
Ministria e Shëndetësisë, e cila ka edhe pjesën kryesore të buxhetit, do të ketë një rritje të lehtë, nga 800 milionë euro në 820 milionë euro në 2028. Ndërsa buxheti i infrastrukturës parashikohet të jetë me luhatje, pasi nga 690 milionë euro buxhet këtë vit, parashikohet të marrë 760 milionë euro vitin tjetër dhe më pas të ulet në 714 milionë euro në vitin 2028. /ekofin.al