
Pas anulimit, FSHZH rishpall projektin për hotelin e nomadëve në Kodrën e Gjashtës në Sarandë
Projekti parashikon krijimin e një Poli Turistik të Sarandës, si një kampus Eco-Smart, me qëllim që të transformojë zonën në një qendër të integruar kulturore dhe ekonomike.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit rishpalli procedurën me objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 3 “Poli i Zhvillimit turistik në Sarandë – Faza 1” e një fond limit 371 milionë lekë apo 3.7 milionë euro.
Kjo procedurë e hapur fillimisht në muajin shkurt u anulua më pas pasi autoriteti kontraktor konstatoi se dokumentet e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme.
Projekti në fjalë synon rikonceptimin e një zone të njohur si Kodra e Gjashtës dhe ku synohet të ndërtohet ndër të tjera një strukturë akomodimi eco-smart me grup të targëtuar nomadët dixhitalë apo artistët.
Sipas dokumentit zona ka sipërfaqe rreth 3 Ha dhe është e njohur për peizazhin e saj të bukur dhe ambientin e qetë. Zona kufizohet në Veri nga Varrezat e Dëshmorëve, Lindje nga Rruga “Sarandë – Kanali i Cukës” dhe në Perëndim nga Rruga “Butrinti”.
“Në këtë zonë ndodhet një vile e cila kishte përdorim gjatë periudhës komuniste. Vila qeveritare e ndodhur në “Kodrën e Gjashtës” në Sarandë përfaqëson një nga ndërtimet më të rëndësishme të periudhës socialiste në Shqipëri.
E vendosur në një nga pikat më strategjike dhe panoramike të qytetit, kjo vilë përbën një dëshmi të gjallë të arkitekturës dhe estetikës që karakterizonte ndërtimet e asaj periudhe. Kombinimi i tipareve moderniste me funksionalitetin praktik tregon për ndikimin e ideologjisë socialiste në urbanistikën e kohës.
Zona ku ndodhet vila ka pasur një rëndësi të veçantë gjatë regjimit komunist. Si një nga vendet më të larta në Sarandë, ajo jo vetëm që ofronte pamje të mrekullueshme të detit Jon dhe qytetit, por gjithashtu shërbente si një pikë simbolike për autoritetet e kohës.
Ndërtesa përdorej kryesisht për pushime dhe takime të niveleve të larta qeveritare, duke reflektuar privilegjet dhe rëndësinë strategjike të qytetit të Sarandës në atë periudhë” thuhet në dokument.
Projekti i parashikuar
Projekti parashikon krijimin e një Poli Turistik të Sarandës, si një kampus Eco-Smart, me qëllim që të transformojë zonën në një qendër të integruar kulturore dhe ekonomike që ndërthur akomodimin, turizmin, artin, edukimin, kulturën dhe jetën e komunitetit.
Projekti synon të rigjallërojë asetet e degraduara përmes ndërhyrjeve të qëndrueshme, duke ofruar një platformë për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe promovimin e vlerave unike të rajonit.
Ai parashikohet të ketë disa nivele, ku në të parin: Kënd lojërash • Hapësira pushimi • Pishine publike.
Në nivelin e dytë objekt qeveritar, restorant dhe hotel : Funksionaliteti i objektit qeveritar. • Restorant i integruar ne terren. • Hotel si rezidence për artistet dhe vizitores e zonës.
Në nivelin e tretë shkolla një hapësirë për evente.
/Monitor (https://monitor.al/pas-anulimit-fshzh-rishpall-projektin-per-hotelin-e-nomadeve-ne-kodren-e-gjashtes-ne-sarande/)
Më të lexuarat








