Tatimet: Nis sot aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa faturë në vend
Nga 14 korriku nis kontrolli në terren për tregtarët e produkteve ushqimore e blegtorale, me fokus formalizimin dhe sigurinë ushqimore.
Nga sot, 14 Korrik 2025, nis kontrolli në vend i tatimpaguesve, që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale, me qëllim jo vetëm formalizimin e sektorit, por sidomos garantimin e produkteve ushqimore cilësore në mbrojtje të konsumatorit.
Njoftimi është bërë nga Tatimet në rrjetet sociale, përmes të cilit informohet se më 7 Korrik 2025, në faqen zyrtare të Administratës Tatimore dhe nëpërmjet pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing, janë njoftuar rreth 12 mijë tatimpagues, që tregtojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, për të marrë masat e nevojshme që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar, përndryshe do të përballen me penalitetet që parashikon ligji.
Tatimet rikujtojnë subjektet se çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që disponohet dhe tregtohet duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku të identifikohet qartë shitësi dhe origjina e produktit.
Për më tepër, çdo produkt që tregtohet te konsumatori final duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku të pasqyrohet saktë emërtimi dhe çmimi i produktit.
Më konkretisht, sipas ligjit nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:
-Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.
– Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.
Në një njoftim të mëparshëm, Tatimet theksonin se në përfundim të fushatës ndërgjegjësuese, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet për zbatimin e ligjit.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama në një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” tha se është e patolerueshme nga pikëpamja e ligjit tatimor, por edhe e rrezikshme që në këtë fazë të vitit, me temperatura të larta që mund të shkaktojnë edhe helmime, në një situatë që është plotësisht e evitueshme.
“Duke filluar nga e hëna e ardhshme, nuk ka më paralajmërime, por sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë në të gjitha dyqanet e tregjet”, tha Rama./ekofin.al