Secondary Adv

Anulohet koncesioni i rrugës Milot-Balldre, asnjë ofertë e përshtatshme

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar koncesionin e shumë debatuar të rrugës Milot – Balldre. 

Në datën 14 korrik 2025, ministria ka nxjerrë për herë të parë dokumentin zyrtar, ku thekson se asnjë nga firmat që bëri ofertë nuk ishte e përshtatshme.

 

Mësohet se para ministrisë paraqiten oferta disa nga firmat dhe oligarkët që kanë marrë tendera dhe koncesione, por ndryshimi i kursit i ka lënë të gjithë të habitur. Por nëse firma Gener 2 bëri Thumanë – Kashar, Salillari operon në Durrës – Kukës, teksa firmat A.N.K dhe 4 A-M fitojnë lehtësisht tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, përse nuk dorëzuan asnjë ofertë të përshtatshme?!

 

Ndoshta, negociatat mes firmave dhe personave që qëndrojnë pas tyre nuk mund të kenë avancuar, ndërsa anulimi erdhi në këto momente ku kryeministri Edi Rama po mundohet që të vërë “nderin në vend” të qeverisë, pas skandaleve të njëpasnjëshme. Kjo është hera e dytë e anulimit të këtij koncesioni, ku herën e parë A.N.K nuk siguroi dot paratë.

 

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, disa muaj më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi garën për të dhënë me koncesion “projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor ‘Milot – Balldre”.

 

Kohëzgjatja e kontratës ishte 35 vjet me një vlerë totale të parashikuar të kontratës 364.732.924 euro pa TVSH. “Vendndodhja e objektit të kontratës është gjurma e propozuar e rrugës ‘Milot-Balldre’ që fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot – Thumanë – Kashar – Lekaj dhe me Rrugën e Kombit dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre” thuhet në dokumente.

 

Sipas saj, arsyet e anulimit është për shkak se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme. Ofertuesit janë njoftuar për skualifikimin e tyre nga Autoriteti Kontraktues në datë 19.06.2025” thuhet në dokumente.

 

Mësohet se u paraqiten 4 oferta nga “Gener 2”, “Salillari”, “A.N.K” dhe “4 A-M”, por siç shkruan edhe ministria “s’kishte asnjë ofertë të përshtatshme”. Mësohet se koncesioni ka një gjatësi prej 17 kilometrash dhe investimi i privatit është parashikuar që të ishte rretht 365 milionë euro. Nga studimet e kryera rezultonte se aksi do të gjeneronte një shumë rreth 1 miliardë euro për 35 vite.

 

Firma fituese do të vendoste edhe një tra, ku tarifa bazë e kalimit në rrugën Milot Balldrenë ishte 0.12 euro për kilometër. Kalimi i një mjeti autoveturë në 17 kilometra do të kushtonte 2.5 euro. /ekofin.al


Më të lexuarat