
Tatimet sqarojnë si do të funksionojë faturimi për produktet bujqësore dhe blegtorale
Çdo mall i blerë nga fermeri qoftë qumësht, mish, apo perime duhet të shoqërohet me faturë fiskale (e llojit autofaturë).
Çdo mall i blerë nga fermeri qoftë qumësht, mish, apo perime duhet të shoqërohet me faturë fiskale (e llojit autofaturë), për të vërtetuar transaksionin dhe origjinën, në të kundërt blerësit e këtyre produkteve rrezikojnë të gjobiten apo t’u konfiskohet malli.
Administrata Tatimore sqaroi për Monitor se në fokus të aksionit të ndërmarrë prej ditës së hënë synohet të forcohet kontrolli në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, ku rezulton informalitet i lartë në tregtimin e tyre, sidomos prej grumbulluesve dhe përpunuesve të mëdhenj.
Pra skema e faturimit për tregtimin e mallrave blegtorale nga fermeri drejt grumbulluesit nëpërmjet faturës fiskale të llojit autofaturim, me qëllim më pas hedhjen në treg të tyre për konsumatorin final nuk ndryshon. Do të vijojë të mbetet e njëjtë. Pra fermeri i pajisur me NIPT shet produktet e tij te grumbulluesi, ku ky i fundit ka detyrimin e lëshimit në SelfCare të autofaturës.
Po përveç pjesës fiskale me qëllim rritjen e arkëtimeve, aksioni i tatimoreve synon të forcojë ndjeshëm procesin e gjurmueshmërisë për sigurinë ushqimore në vend, pasi një mall i shitur me faturë arrin të gjurmohet lehtësisht në sistem .
“Një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve të tregtimit të produkteve blegtorale kryhen jashtë sistemit tatimor, duke mos garantuar gjurmueshmërinë e origjinës së mallit, mungesën e dokumentacionit shoqërues dhe duke penguar formalizimin e zinxhirit të vlerës.
Për të adresuar këtë problem, aksioni i ndërmarrë së fundmi ka në fokus përpunuesit dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore. Sipas udhëzimeve të administratës tatimore, këta subjekte janë të detyruar që, gjatë blerjes së produkteve nga fermerët, të përdorin autofaturën si mjet për dokumentimin e transaksionit, ku informaliteti tek ta ka rezultuar i lartë”, sqaruan nga DPT.
Sipas të dhënave të DPT-së në vend rezultojnë 100 mijë fermerë të regjistruar me NIPT që kanë detyrimin të tregtojnë mallrat e prodhuara nëpërmjet autofaturave që i lëshon blerësi.
E njëjta skemë do të vijojë të funksionojë për shitjen e fermerëve të regjistruar si tatimpagues për kategorinë “person fizik” apo “shpk”. Në këtë rast fatura e fiskalizuar për shitjen e mallit lëshohet prej tij. Në këtë rast nuk funksionon autofatura.
Çfarë është autofatura?
Autofatura është një dokument tatimor që lëshohet nga blerësi (përpunuesi apo grumbulluesi), në emër të shitësit (fermerit), në rastet kur fermeri është I pajisur me NIPT dhe bën shitje pa faturë TVSH -je për xhiron me vlerë deri 10 milionë lekë në vit.
Kjo procedurë synon të garantojë që transaksioni të dokumentohet ligjërisht dhe të mundësohet regjistrimi i origjinës së produktit në sistemin fiskal.
Pra fermeri i pajisur me NIPT do të vijojë që produktet e prodhuara që i shet të grumbulluesi, përpunuesi, supermarketet, apo tregtarët e shumicës dhe pakicës, pa faturë TVSH-je për një qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë.
Detyrimi për lëshimin e faturës është e blerësit të këtyre produkteve, që në këtë rast mund të jetë një grumbullues, përpunues apo supermarket. Prej këtyre të fundit fatura fiskale që lëshohet në SelfCare ëhstë e lloji autofaturë “Blerje nga fermerët vendas”. Autofatura duhet të firmoset nga shitësi që në këtë rast është fermeri, ku krahas të dhënave të tij emri dhe NIPT-i e fermerit përshkruhet edhe lloji i mallit të blerë dhe vlera pa TVSH. Pra autofatura përmban të gjithë elementët e një fature fiskale, por ajo lëshohet nga blerësi, jo nga shitësi.
Si lëshohet autofatura fiskale për fermerin?
Tatimet sqarojnë se referuar nenit 8, pika 1, gërma “a” e udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, mallrat e blera nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar.
Për lëshimin e saktë të këtyre faturave, tatimpaguesit duhet të ndjekin disa hapa:
Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën
2. Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic)
3. Vendosni të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i)
4. Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në
Kujdes. Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri).
Si lëshohet nga SelfCare autofatura?
Hapat për lëshimin e faturës janë: 1. Pasi kemi aksesuar platformën nëpërmjet kredencialeve të portalit e-Albania të biznesit, shkojmë te menuja “Faturat” dhe klikojmë “Lësho faturë”.
1. Zgjidhet tipi i faturës me ose pa para në dorë, dhe te opsioni autofaturë përzgjedhim llojin e autofaturës “Blerje nga fermerët vendas”.
2. Plotësohen saktë të dhënat e shitësit, në rastin tonë prodhues bujqësor dhe blegtoral, duke përzgjedhur dhe vendosur numrin NIPT te identifikimi i shitësit. Kujdes! Duhet të plotësohet saktë NIPT-i i fermerit!
3. Plotësojmë artikujt e blerë nga fermeri bashkë me sasinë dhe vlerën përkatëse, pa llogaritur TVSH-në.
4. Shtojmë mënyrën e pagesës, në varësi të llojit të faturës me para në dorë apo pa para në dorë.
5. Për të përfunduar faturimin klikojmë “Regjistro Faturën”.
/Monitor (https://monitor.al/pa-autofature-ska-mall-nga-fermeri-tatimet-aksioni-po-forcon-kontrollin-ndaj-grumbulluesve/)
Më të lexuarat








