Secondary Adv

Tatimet: Tregtarët ambulantë, jo detyrim për të lëshuar faturë, reagon dhe bujqësia

Aksioni i tatimeve për faturimin e produkteve blegtorale është shtrirë edhe te tregtarët ambulantë në disa tregje rajonale.

Aksioni i nisur nga administrata tatimore me fokus forcimin e kontrollit të shitjes me faturë të produkteve blegtorale nga fermerët drejt prodhuesve dhe përpunuesve, në disa tregje rajonale është shoqëruar edhe me kontroll të inspektorëve te tregtarët ambulante.

 

Përmes një njoftimi Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

 

“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

 

Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.

 

Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë:

 

-Të jetë mbi moshën 16 vjeç;

-Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë;

-Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse;

-Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore;

-Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”.

 

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë.

 

Pas administratës tatimore ka reaguar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me fokusin e nisjes së aksionit nga dita e hëna për kontrollin e tregtimit të produkteve blegtorale.

 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se kontrollet për sigurinë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore nuk janë aksion kundër fermerëve, por një hap për ta formalizuar, forcuar dhe mbështetur sektorin bujqësor.

 

MBZHR në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, sqaron se ka për qëllim formalizimin e sektorit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë qytetarët.

 

“Fermerët nuk janë fajtorë. Ata janë bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë.

 

Qëllimi ynë nuk është të vendosim gjoba, por të krijojmë një sistem ku çdo hallkë e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore të jetë e pastër, e kontrollueshme dhe në shërbim të qytetarit.

 

Pse është i rëndësishëm bashkëpunimi në këtë nismë?

 

-Gjurmueshmëria e produkteve – të dimë ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar një produkt.

 

-Siguria ushqimore – për të pasur më shumë besim në atë që vendosim në tryezë.

 

-Transparencë dhe mbështetje – fermerët që janë të regjistruar dhe të formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar.

 

Ftojmë  të gjithë  aktorët  e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurtë për konsumatorin shqiptar dhe për eksportet shqiptare, që tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare”, sqaron Ministria e Bujqësisë. 

/Monitor

(https://monitor.al/tatimet-sqarojne-aksionin-ambulantet-skane-detyrim-per-fature-apo-dokumentacion-tatimor/)

(https://monitor.al/reagon-edhe-bujqesia-kontrollet-sjane-kunder-fermereve-synojne-sigurine-ushqimore/)

 


Më të lexuarat