Secondary Adv

Taksa e re për shtëpitë e dyta, në fuqi nga 1 janari 2026, mund të sjell rënie çmimesh

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Armand Shkëmbi, deklaron se taksa e pronës për banesat e dyta pritet të rritet ndjeshëm duke filluar nga viti 2026. Sipas tij, kjo masë do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë te pronarët ekzistues dhe blerësit e rinj.

“Kush ka një banesë të dytë do të përballet me një rritje të konsiderueshme të taksës së pronës. Aktualisht, në Shqipëri paguajmë 0.05% të çmimit të referencës së një prone si taksë vjetore,” – shpjegon Shkëmbi.

 

Shembull konkret:
Për një pronë me çmim reference prej 100,000 euro, taksa aktuale është vetëm 50 euro në vit, ose rreth 3–5 euro në muaj. Por qeveria po synon t’i japë bashkive të drejtën të vendosin një taksë që varion nga 0.1% deri në 0.2%, duke e dyfishuar ose katërfishuar shumën aktuale.

“Kjo do të thotë që për të njëjtën pronë, pagesa mujore mund të shkojë nga 10 deri në 20 euro. Nëse kjo shoqërohet edhe me rritje të çmimit të referencës, kostoja mund të jetë edhe më e lartë,” – shton eksperti.

 

Ligji i Ri Hyn në Fuqi më 1 Janar 2026

Rritja e taksës do të zbatohet për:
•    Pronarët aktualë të banesave të dyta dhe të treta
•    Ata që do të blejnë prona pas 1 janarit 2026
“Ky ndryshim do të ushtrojë presion fiskal mbi ata që mbajnë prona të pashfrytëzuara, sidomos apartamente bosh. Mendoj se shumë prej tyre do të detyrohen t’i shesin, çka mund të rrisë ofertën në treg dhe të ulë çmimet gjatë vitit 2026,” thekson Shkëmbi.

 

Apartamentet e Pabanuara në Tiranë dhe Vështirësitë për Blerësit e Rinj
Eksperti thekson se blerja e një banese për çiftet e reja është bërë tepër e vështirë: “Për një çift të ri, duhet gati një jetë për të blerë një apartament në Tiranë. Janë rreth 70,000 apartamente bosh, por çmimet mbeten shumë të larta dhe të paarritshme për klasën punëtore,” – thotë ai.

 

Kritika edhe ndaj sistemit aktual të shitjes:
“Vetëm në Shqipëri ndodh që një qytetar blen një apartament ende në ndërtim. Në vendet perëndimore, në këtë fazë vetëm rezervon, nuk blen. Kjo praktikë, e kombinuar me mungesën e barrës fiskale për ndërtuesit, ka sjellë një fluks të madh kapitali drejt projekteve të reja dhe rritje artificiale të çmimeve.”/ Shqiptarja.com


Më të lexuarat