Secondary Adv

Furnizimi me ujë, ankimohen tenderët për përmirësimin e sistemit në Radhimë dhe Akërni

Dy procedura prokurimi të lidhura me linja të furnizimit me ujë janë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Njëra prej tyre lidhet me zonën turistike të Radhimës ndërsa tjetra me Akërninë të dyja të shpallura nga Ujësjellës Kanalizime Vlore sh.a.

 

Ankimi për këto procedura të hapura në muajin qershor duket se lidhet me fazën e vlerësimit nga ana autoritetit kontraktor.

 

Në dokumentet e tenderit që shoqërojnë procedurat nuk jepen shumë detaje lidhur me ndikimin që kanë ato në numrin e familjeve që furnizojnë apo të bizneseve.

 

Dy procedurat kanë konkretisht në objekt “ Linja e furnizimit me uje ne fshatin Akerni” dhe de dyta “Përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë në zonën e Radhimës”.

 

Ndërhyrjet sipas fondeve limite që kanë procedurat duket se janë minimale dhe afati i zbatimit të tyre është 30 ditor por duket se ankimimet do ta zvarrisin edhe më shumë këtë procedurë ndërkohë që për zona me përparësi turizmin furnizimi me ujë në mënyrë të vazhdueshme dhe cilësore është tepër i rëndësishëm.

 

Këtë vit për herë të parë furnizimi me ujë po shfaqet problematik në disa zona kjo e nxitur nga arsye të ndryshme duke nisur nga investimet e nevojshme për përmirësime sigurie në diga e liqene e deri tek mungesa e ujit për shkak të pamjaftueshmërisë së mbulimit me rrjet në zona që kanë shtim të numrit të turistëve.

 

Pak ditë më parë edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë reagoi duke kërkuar më shumë reagim nga institucionet për të garantuar një mbarëvajtje të sezonit turistik.

 

Ndër të tjera Dhoma citonte se anëtarët e saj kishin raportuar për problematika të ndryshme të lidhura me mungesën e ujit apo menaxhimin e mbetjeve./Monitor(https://monitor.al/furnizimi-me-uje-ankimohen-tenderet-per-permiresimin-e-sistemit-ne-radhime-dhe-akerni/)


Më të lexuarat