Qeveria: Rritja e pagave dhe pensioneve nis ne mars 2017
Në mbledhjen e saj të fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria ka kaluar draft-ligjin për buxhetin e vitit 2017, i cili pasi të diskutohet dhe kalojë në Parlament, do të finalizohet më rritjen e pagave dhe pensioneve në mars 2017.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka siguruar se buxheti i këtij viti, është ai i financimit të reformave në vend. Gjatë një konference për shtyp, Ahmetaj tha se gjithçka është bërë në dakodësi të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për largim të fondit për mungesë marrëveshjeje.
“Jemi në dakordësi të plotë me FMN për të gjithë kuadrin buxhetor të vitit 2017. Brenda buxhetit të këtij viti, do të financohen një sërë reformash dhe në mbledhjen e KM sot, qeveria kaloi draft-ligjin për buxhetin e vitit 2017 dhe në bazë të procedurës buxheti i kalon Parlamentit për diskutim, debat dhe aprovim, – tha Ahmemtaj. – Buxheti i këtij viti është buxheti i financimit të reformave, rritjes së pagave dhe pensioneve. Është buxheti i uljes së borxhit publik. U arrit të garantohet një rritje mesatare pagash për administratën publike 50%, u arrit një rritje indeksim pensionesh prej 3% dhe këto efekte fillojnë nga data 1 mars e vitit 2017 që do të thotë se pensioni i marsit në mars, do të merret i rritur dhe paga e marsit në fillim të prillit do të merret e rritur”, – shtoi ai.
Sipas ministrit të Financave, “efekti i rritjes së pagave dhe pensioneve që shkon pak më shumë se 100 mln dollarë, është me i madhi i arritur ndonjëherë si fond. Nga ana tjetër, buxheti do të rrisë pagat dhe do të ulë borxhin publik. Kjo tregon një përgjegjësi maksimale të qeverisë për të ulur borxhin publik në një vit zgjedhor si ky i yni”.