Rama: Zero tolerancë për ndërtimet në hapësira publike, paralajmëron ndëshkime penale
Qeveria do të miratojë një reformë të re për kontrollin e territorit, duke marrë shkas nga zaptimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje.
Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale anulimin e një lejeje legalizimi të dhënë për një biznes që kishte zënë hapësirë publike.
Sipas tij, rasti nuk do të mbetet i izoluar dhe paralajmëroi një qasje me zero tolerancë ndaj rasteve të ngjashme në të gjithë territorin e vendit.
“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit, edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shkroi Rama. /Scan