Nga AKU te ISHP, Qeveria miraton riorganizimin e 14 institucioneve inspektuese
Qeveria riorganizon 14 institucione inspektuese sipas ligjit të ri, AKU në fokusin e reformës.
Qeveria shqiptare ka miratuar riorganizimin e 14 institucioneve qendrore me funksione inspektuese, në kuadër të zbatimit të ligjit të ri nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, dhe prek institucionet që veprojnë në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv, në fusha që përfshijnë mjedisin, shëndetësinë, sigurinë ushqimore, tregun dhe trashëgiminë kulturore.
Institucionet që do të riorganizohen
Sipas vendimit zyrtar, riorganizimi do të prekë këto institucione:
- Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
- Agjencia Kombëtare e Mjedisit
- Agjencia Kombëtare e Pyjeve
- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
- Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve
- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU)
- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
- Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës
- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit
- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore
- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor
- Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore
- Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut
- Instituti i Shëndetit Publik
Transferime funksionesh dhe krijim inspektoratesh të reja
Përveç riorganizimit të institucioneve ekzistuese, vendimi parashikon edhe transferimin e funksioneve inspektuese të:
- Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar
- Agjencisë Kombëtare të Bregdetit
Këto funksione do të kalojnë në inspektorate të reja qendrore, të cilat do të krijohen në përputhje me strukturën e ministrive përgjegjëse dhe sipas ligjit të ri për inspektimet.
AKU në fokusin e kritikave
Ky riorganizim vjen disa ditë pasi Kryeministri Edi Rama kërkoi pezullimin e menjëhershëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë një takimi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural më 2 korrik. Rama u shpreh kritik ndaj performancës së institucionit, duke thënë se “më shumë bën dëme sesa punë”, dhe paralajmëroi reforma thelbësore në mënyrën e funksionimit të tij.
Zbatimi dhe institucionet përgjegjëse
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar një sërë ministrish dhe vetë institucionet e riorganizuara, përfshirë:
- Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Ministrinë e Arsimit dhe Sportit
- Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
- Ministrinë e Brendshme
- Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. /Shqiptarja