Secondary Adv

Pensionet e reja: Përcaktohen koeficientët e indeksimit, ja kategoritë që përfitojnë

Pensionet e reja do të rriten: Qeveria indekson bazën e vitit 2023 me 9.3% nga janari 2025.

Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm për përllogaritjen e pensioneve, i cili do të prekë të gjithë qytetarët që përfitojnë të drejtën për pension pas datës 1 janar 2025. Vendimi përcakton koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2023, duke reflektuar zhvillimet ekonomike në përllogaritjen e pensioneve të reja.

 

Indeksim 9.3% mbi bazën e vitit 2023

Sipas vendimit, baza e vlerësuar e vitit 2023 do të indeksohet me një koeficient prej 9.3%. Ky indeks zbatohet për të llogaritur bazën individuale vjetore, që më pas përdoret për përllogaritjen e masës fillestare mujore të pensionit. Efekti praktik i këtij ndryshimi do të jetë një rritje e pensioneve fillestare mujore për qytetarët që dalin në pension nga fillimi i vitit 2025.

 

Kush përfiton nga ky ndryshim?

Ky indeksim vlen vetëm për qytetarët që dalin në pension nga 1 janari 2025 e në vazhdim. Ai bazohet në kontributet e paguara deri më 31 dhjetor 2023 dhe ka për qëllim të pasqyrojë ndryshimet në nivelin e të ardhurave dhe të pagave përpara se të llogaritet pensioni.

 

Kufizimet dhe rregullat për llogaritjen

Vendimi përcakton gjithashtu kufijtë maksimalë të bazës së vlerësuar që mund të përdoret për llogaritjen e pensionit:

1. Për periudhën 1994–2001, baza nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi;

2. Për periudhën nga viti 2002 e në vazhdim, paga maksimale përllogaritet në bazë të pagës maksimale zyrtare në shkallë vendi.

3. Për gjithë periudhën 1994–2023, indeksimi do të bazohet mbi:

- Pagat mujore të deklaruara;

- Profesionet dhe llojet e punës të përcaktuara në vendimin nr. 561, datë 27.07.2005, të Këshillit të Ministrave.

 

Formula aktuale e pensionit fillestar

Pas reformës së vitit 2014, pensioni fillestar përllogaritet me këtë formulë:

- Pensioni bazë prej rreth 9.800 lekësh;

- Shtesë mbi pensionin bazë, që përbën 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar.

 

Ky sistem synon të krijojë një lidhje të drejtë midis kontributeve të paguara dhe përfitimeve, duke garantuar pension më të drejtë dhe të qëndrueshëm financiarisht për të gjithë qytetarët. /Scan


Më të lexuarat