Secondary Adv

Kufiri i pataksueshëm për bagazhet e udhëtarëve, Doganat sqarojnë limitet e lejuara

Dogana shqiptare: Kufiri i pataksueshëm për udhëtarët dhe si të deklaroni mallrat.

Dogana shqiptare njofton se udhëtarët që vijnë nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.

 

Sipas njoftimit mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve ose mallrat për dhurata.

 

DSH informon se vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) eshte sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:

 

·         Udhëtarët në rrugë tokësore: 300 euro për çdo udhëtar

·         Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare: 430 euro për çdo udhëtar

·         Për udhëtarët nën 15 vjeç: 150 euro

 

Sipas DSH gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare.

 

Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.

 

KUJDES!

 

Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.

 

Gjithashtu përjashtohen nga pagesa në import për:

a) konsum personal produktet e duhanit për sasitë: 200 cigare; 100 cigarillo; 50 puro; 250 gramë duhan

b) konsum personal i alkoolit dhe pijeve alkoolike për sasitë:

 

- 1 litër alkool dhe pije alkoolike me fortësi alkolike më të lartë se 22% ndaj volumit, ose alkool etilik i padenatyruar me fortësi alkoolike 80% ndaj volumit dhe më shumë;

 

- 2 litra alkool dhe pije të distiluara me fortësi alkoolike që nuk e kalon 22% ndaj volumit. Secila sasi e specifikuar në shkronjat “a” dhe “b”, përbën 100 % të përjashtimit total për produktet e alkoolit dhe pijeve alkoolike.

 

- 2 litra verë pa gaz dhe 10 litra birrë.

 

Për një udhëtar, përjashtimi mund të zbatohet për çdo kombinim të produkteve të alkoolit dhe pijeve alkoolike me kushtin që totali i sasisë (përqindjes) së përdorur nga individi të mos kalojë 100%.

c) konsum personal i kafes për sasinë: 3 kg

 

KUJDES! Udhëtarët nën moshën 17 vjeç nuk përfitojnë përjashtim për produktet e duhanit dhe alkoolit. /Shqiptarja


Më të lexuarat