Monedha euro drejt një minimumi të ri, po zbret nën 97 lekë
Monedha evropiane vijon të dobësohet ndjeshëm përballë lekut, duke regjistruar një tjetër minimum historik këtë javë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, mëngjesin e së enjtes euro u këmbye me 97.6 lekë, duke pësuar një zhvlerësim me afro 1% që nga fillimi i korrikut dhe me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një rënie që nuk përkthehet në çmime më të ulëta
Zhvlerësimi i euros, i cili teorikisht duhet të reflektohej në uljen e çmimeve të produkteve të importuara (si lëndët djegëse apo ushqimet bazë), nuk ka sjellë efekte të dukshme në treg. Përkundrazi, inflacioni në qershor arriti nivelin më të lartë në 16 muaj, duke treguar se çmimet po vijojnë trendin rritës, pjesërisht si pasojë e abuzimeve dhe mungesës së kontrollit të tregut.
Kush po humbet nga zhvlerësimi i euros?*
Rënia e euros ka ndikim negativ veçanërisht për tre kategori:
-Eksportuesit shqiptarë, që shesin në euro, por kanë shpenzime në lekë. Me kursin e ri, të ardhurat e tyre në lekë janë më të ulëta.
-Familjet që mbahen me remitanca, pasi marrin më pak lekë për të njëjtën shumë në euro.
-Individët me të ardhura në valutë, si punonjës të jashtëm apo kontraktorë ndërkombëtarë, të cilët po përballen me një ulje reale të fuqisë blerëse në Shqipëri.
Për ilustrim, një dërgesë prej 1,000 eurosh këtë vit këmbehet për 97,000 lekë, nga 100,000 lekë që vlente një vit më parë.
Efekti në buxhetin e shtetit
Zhvlerësimi i euros ndikon negativisht edhe në të ardhurat buxhetore:
-Të ardhurat nga TVSH-ja dhe akcizat bien, pasi vlera e importeve në lekë është më e ulët.
-Të ardhurat doganore tkurren, duke rritur presionin mbi mbledhjen e të ardhurave fiskale.
Kush përfiton?
Nga kjo situatë përfitojnë kryesisht:
-Importuesit, të cilët blejnë mallra më lirë në euro dhe i shesin në lekë.
-Qeveria, që kthen borxhet në valutë me kosto më të ulët, pasi këstet në lekë janë më të vogla për të njëjtën shumë në euro.
Faktorët që po ndikojnë në zhvlerësimin
Banka e Shqipërisë dhe institucionet shtetërore e lidhin këtë zhvlerësim me:
-Rritjen e turizmit, që ka sjellë flukse të mëdha të euros dhe dollarit në treg.
-Investimet e huaja, të cilat janë kryer në valutë dhe këmbehen për lekë.
-Paranë informale, që mendohet të jetë një faktor i heshtur, por ndikues në luhatjen e kursit të këmbimit./Shqiptarja.com