Secondary Adv

Mbetjet spitalore, nga rregullat e ndarjes në burim tek asgjësimi i tyre

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit propozon udhëzime të reja për menaxhimin e mbetjeve spitalore, me fokus sigurinë mjedisore dhe shëndetin publik.

Menaxhimi i mbetjeve spitalore: Udhëzime të reja për trajtim dhe asgjësim

 

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka propozuar një projektvendim në konsultim publik, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve spitalore dhe zvogëlimin e ndikimit në mjedis dhe shëndetin publik.

 

Dokumentimi dhe regjistrimi i trajtimit

Sipas Nenit 7 të projektvendimit, trajtuesit e mbetjeve spitalore duhet të regjistrojnë të dhëna të detajuara për çdo cikël trajtimi, duke përfshirë numrin e identifikimit, sasinë dhe llojin e mbetjeve, kohën dhe parametrat teknikë si temperatura dhe presioni. Gjithashtu, regjistrohen të dhënat e kontaktit dhe licencat e asgjësuesve të mbetjeve.

 

Nga ana tjetër, asgjësuesit duhet të mbajnë regjistra për dorëzuesit, sasitë dhe llojet e mbetjeve, si dhe informacion për licencat e tyre dhe trajtuesve. Të dyja palët janë përgjegjëse për dëmet në mjedis dhe shëndetin publik.

 

Plani i menaxhimit të mbetjeve spitalore

Çdo prodhues i madh i mbetjeve spitalore duhet brenda 3 muajve të përgatisë një plan të detajuar menaxhimi që përfshin përgjegjësit, vendet dhe mënyrat e grumbullimit, etiketimit, ruajtjes, transportit dhe trajtimit të mbetjeve. Plani përfshin masat e sigurisë, trajnimet e personelit, procedurat e emergjencës dhe kontrollin e ndotjes, dhe duhet të rishikohet çdo tre vjet.

 

Ndarja dhe trajtimi i mbetjeve

Sipas nenit 9, mbetjet spitalore duhet të ndahen në burim në mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, duke i grumbulluar në mënyrë të diferencuar. Mbetjet e përziera trajtohen si rrezikshme.

 

Trajtimi bëhet me metoda të standardizuara, përfshirë termikën, kimikën, rrezatimin, biologjikën dhe mekanikën. Teknologjitë kryesore janë autoklavat, trajtimi me mikrovalë, incineratorët dhe hidroliza alkaline. Incinerimi kryhet në temperatura të larta për të garantuar shkatërrimin e patogjenëve dhe minimizimin e ndotjes.

 

Menaxhimi i mbetjeve pas trajtimit

Mbetjet prej qelqi, plastike dhe metali pas trajtimit mund të rikuperohen dhe të riciklohen, duke ulur mbetjet në landfill. Tepricat mund të dërgohen në impiantet termike të prodhimit të energjisë, të asgjësohen në impiantet e djegies së mbetjeve urbane, ose të depozitohen në landfill për mbetje jo të rrezikshme, në përputhje me kërkesat ligjore dhe vërtetimin e sterilizimit.

 

Hiri nga incineratori dhe mbetjet lëngëta

Hiri nga incineratori nuk duhet të ketë më shumë se 5% karbon; nëse kap vlera më të larta, trajtohet sërish deri në përmbushjen e standardeve. Hiri me më pak se 5% karbon konsiderohet mbetje jo e rrezikshme dhe asgjësohet në landfill.

 

Mbetjet lëngëta lejohen të hidhen në rrjetin e kanalizimeve vetëm nëse janë shpërbërë, neutralizuar ose dezinfektuar, dhe në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore.

 

Inspektimi dhe monitorimi

Veprimtaria do të monitorohet nga inspektorët për respektimin e kërkesave për klasifikimin, menaxhimin, pajisjet me leje mjedisore dhe dokumentacionin shoqërues.

 

Në fokus janë edhe shërbimet dentare që përdorin pajisje ndarëse të amalgamës dhe duhet të respektojnë rregullat për trajtimin e mbetjeve të amalgamës.

 

Bazat ligjore

Ligji nr. 10 463 për menaxhimin e integruar të mbetjeve mbetet baza ligjore që siguron trajtimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të mbetjeve spitalore, duke mbrojtur mjedisin dhe shëndetin publik./ekofin.al


Më të lexuarat