Secondary Adv

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon rishikimin e metodologjisë për çmimet e barnave në Shqipëri

AmCham i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë rishikimin e menjëhershëm të metodologjisë për çmimet e barnave dhe produkteve mjekësore në Shqipëri.


Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), përmes Komitetit të saj të Shëndetësisë, i ka dërguar një letër zyrtare Ministres së Shëndetësisë, duke kërkuar rishikimin e menjëhershëm të metodologjisë që përcakton çmimet e produkteve mjekësore dhe barnave në vend.

 

AmCham argumenton se skema aktuale, që bazohet në çmimin më të ulët të pesë vendeve të rajonit (Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Italia), po pengon hyrjen e terapisë inovative në tregun shqiptar dhe po dëmton aksesin në kohë të pacientëve shqiptarë.

 

Në kuadrin aktual rregullator, çmimi i regjistruar i një produkti mjekësor në Shqipëri vendoset bazuar në çmimin e referencës së jashtme, konkretisht duke zgjedhur çmimin më të ulët midis pesë vendeve: Kroacisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Italisë, ai kufizon aksesin në kohë dhe barazinë në trajtime inovative apo hyrjen në treg të terapive të reja.

 

AmCham rekomandon zëvendësimin e Maqedonisë e Veriut dhe Serbisë me Slloveninë, Austrinë ose Norvegjinë si vende reference, pasi këto të fundit janë shtete anëtare të BE-së me kuadër rregullator të konsoliduar dhe sisteme transparente të çmimeve. Për më tepër, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk janë të detyruara të respektojnë acquis-në farmaceutike të Bashkimit Evropian (p.sh., Direktivën e Këshillit 89/105/EEC për transparencën, udhëzimet e BE-së për çmimet dhe rimbursimin).

 

Ndërsa çmimet e ulëta të referencës mund të duken fiskalisht të matura në afat të shkurtër, ato shpesh çojnë në: vullnet të reduktuar të kompanive për të lançuar ose ruajtur furnizimin, rritje të rrezikut të mungesave të ilaçeve; një mjedis tregu që është i paqëndrueshëm për palët e interesuara lokale dhe ndërkombëtare.

 

Shqipëria ka nevojë për një sistem çmimesh që është fiskalisht i qëndrueshëm, por edhe i aftë të mbështesë disponueshmërinë afatgjatë të ilaçeve dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor, thuhet propozimet e AmCham.

 

Gjithashtu Dhoma rekomandon kalimin nga referenca e çmimit minimal në referencën e çmimit mesatar. Kjo qasje është më e favorshme për të siguruar disponueshmëri të qëndrueshme të produktit dhe akses. Sipas fakteve çmimet mesatare evropiane të ilaçeve të zgjedhura u reduktuan me 7.1–12.5% ndërmjet 6 muajve dhe 3 viteve, dhe me 9.5–16.2% ndërmjet 6 muajve dhe 5 viteve pas autorizimit të  tregtimit, duke treguar se çmimet mesatare mund të çojnë në reduktime të qëndrueshme të kostos me kalimin e kohës.

 

Po kështu Dhoma propozon heqjen e afatit 12-mujor të importit për ndryshimin e çmimit. Rregulli aktual që ndalon ndryshimin e çmimit për 12 muaj pas importit të produktit konsiderohet nga AmCham si një pengesë serioze që çon në ndërprerje të furnizimit dhe mungesë të barnave për pacientët.

 

Procedurat e qarta për rishikimin e çmimeve nga Komisioni i Çmimeve, është një tjetër rekomandim, që do t’i shërbente rritjes së transparencën dhe do të siguronte parashikueshmëri për kompanitë farmaceutike që operojnë në Shqipëri.

 

AmCham kërkon miratimin e një metodologjie çmimesh më konkurruese dhe të ndjeshme ndaj tregut, veçanërisht për barnat pa recetë (OTC). Sipas Dhomës, lejimi i fleksibilitetit të çmimeve për OTC-të jo të rimbursuara do të nxiste konkurrencën mes shitësve me pakicë, duke përmirësuar përballueshmërinë për qytetarët. Ndërkohë, për barnat OTC që rimbursohen nga shteti, propozohet të ruhet një kufi i kontrolluar (çmimi maksimal i lejuar), për të garantuar përdorimin e kujdesshëm të fondeve publike. Kjo qasje e balancuar do të siguronte një treg më funksional, më të hapur për inovacion dhe me akses më të gjerë në produkte për pacientët. /ekofin.al(https://ekofin.al/dhoma-amerikane-e-tregtise-kerkon-rishikimin-e-metodologjise-per-cmimet-e-barnave-ne-shqiperi/)


Më të lexuarat