Secondary Adv

Abuzimi me fondet e BE-së, Ministria e Financave do të realizojë një auditim të jashtëm të IPARD II

Ministria e Financave do të kryejë një auditim të jashtëm për Programin IPARD II, pas shkeljeve që mund t’i kushtojnë Shqipërisë miliona euro.

Ministria e Financave do të realizojë një auditim të jashtëm (forensic audit) në lidhje me zbatimin e Programit IPARD II në Shqipëri, shkeljet për të cilin do t’i kushtojnë Shqipërisë miliona euro. Ekofin.al mëson se procedura e prokurimit për audituesin e jashtëm pritet të shpallet në shtator.

OLAF hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimin për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri.

IPARD II u hartua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar për t’u përputhur me standardet e BE-së dhe për të arritur përparim drejt anëtarësimit në BE.

Një prej akuza ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre te kompanitë e konsulencës “të parazgjedhura”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural dhe Bujqësi (ARDA), e cila shpërndante fondet.

Pas një sërë hapash kompleksë hetimorë, duke përfshirë kërkimet digjitale forenzike të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, ARDA-n dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Këto parregullsi përfshinin: aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre për një kompani lokale konsulence; kontrata të dhëna pa konkurs, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta të rreme të paraqitura); çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.

Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsideronte një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë eurosh, si të papranueshme.

OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalonte 112 milionë euro financim të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzime të panevojshme, derisa të vendoseshin masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.

Duke pasur parasysh aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF gjithashtu dërgoi një kopje të gjetjeve të saj tek autoritetet gjyqësore të Shqipërisë.

Si përfituese e fondeve të BE-së, Shqipëria ka përgjegjësinë që të mbrojë interesin financiar të BE-së.

Në veçanti, sipas detyrimit që rrjedh nga Marrëveshja Kuadër IPA II përcaktohet se përfituesi i IPA II duhet të sigurojë hetimin dhe trajtimin në mënyrë të efektshme të rasteve të dyshuara të mashtrimit, konfliktit të interesit dhe parregullsive.

Sipas të dhënave më të fundit parregullsitë e raportuara në kuadër të Programit IPARD II, janë në total 146, nga të cilat 73 janë ende në proces rikuperimi. /ekofin.al(https://ekofin.al/abuzimi-me-fondet-e-be-se-ministria-e-financave-do-te-realizoje-nje-auditim-te-jashtem-te-ipard-ii/)


Më të lexuarat