Rama: Shqipëria pa para cash deri në fund të dekadës
Kryeministri prezantoi vizionin për një transformim digjital të plotë të ekonomisë shqiptare
Kryeministri Edi Rama ka shpallur ambicien e radhës për transformimin e vendit: një Shqipëri plotësisht pa para cash brenda kësaj dekade.
Nga qyteti i Beratit, në një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve, kreu i Qeverisë deklaroi se objektivi është që çdo transaksion dhe ndërveprim ekonomik të kalojë në formë digjitale deri në vitin 2030.
“Kemi një ambicie që deri në fund të kësaj dekade Shqipëria të jetë një vend pa para cash. Teknologjia nuk mungon dhe, nëse dimë të vizatojmë siç duhet rrugën që do të ndjekim, kjo është plotësisht e realizueshme. Një Shqipëri pa cash do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri në jetën e përditshme”, tha Rama.
Në të njëjtin diskutim, i zhvilluar në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian”, kryeministri nënvizoi rëndësinë e një qasjeje më bashkëpunuese mes institucioneve shtetërore dhe sektorit të teknologjisë.
Sipas tij, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës duhet të ristrukturohet për të funksionuar si një nyje fleksibël dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në kohë reale profesionistët dhe ekspertët nga çdo sektor.
“Duhet të kalojmë në një nivel tjetër Agjencinë e Inovacionit. Nuklet e krijuara për çdo sektor nuk duhet të mbeten të mbyllura, por të jenë të hapura dhe fleksibël për të përfshirë në kohë reale të gjithë ata që duan të kontribuojnë nga sektori përkatës”, shtoi ai.
Takimi në Berat ishte pjesë e një serie konsultimesh kombëtare për sfidat dhe prioritetet që Shqipëria duhet të adresojë për të arritur standardet teknologjike të Bashkimit Evropian dhe për të realizuar modernizimin e plotë të shoqërisë shqiptare./Albanian Post