Secondary Adv

Shpallet fituesi për projektin e Rivitalizimit të Vilës Qeveritare në Dajt

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpallur si ofertues fitues kompaninë “HASTOÇI” sh.p.k, me NUIS J62028009B, për realizimin e projektit “Rivitalizimi i Rezidencës Qeveritare, Vila Dajt”. 

Vlera e ofertës fituese është 612,987,191.4 lekë pa TVSH, duke rezultuar si më e favorshmja ekonomikisht dhe teknikisht, krahasuar me ofertat e tjera në garë.

 

Procedura është zhvilluar përmes negociimit pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, me fond limit prej 619,786,829.32 lekë pa TVSH, ndërsa kontrata do të ketë një afat zbatimi prej 27 muajsh nga momenti i nënshkrimit.

 

Në këtë procedurë mori pjesë edhe operatori ekonomik “4 A-M” sh.p.k, i cili, megjithëse kishte një ofertë të çmimit më të ulët se fondi limit (617,354,893.97 lekë pa TVSH), u skualifikua për mosplotësim të kritereve të kapacitetit teknik dhe fuqisë punëtore, si dhe për mungesë dokumentacioni të nevojshëm ligjor dhe teknik, përfshirë: certifikata të sigurisë (CSP), certifikatë për auditimin e energjisë dhe dokumente të përvojës së mëparshme në projekte të ngjashme.

 

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në unanimitet, vendosi skualifikimin e “4 A-M” sh.p.k dhe shpalli fituese “HASTOÇI” sh.p.k, e cila ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore, teknike dhe ekonomike të kërkuara në dokumentacionin e tenderit.

 

Fituesi është njoftuar të paraqesë brenda 1 dite sigurimin e kontratës pranë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në të kundërt do të zbatohet procedura e parashikuar për lidhjen e kontratës me ofertuesin e renditur i dyti.

 

Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të ruajtur dhe rigjallëruar trashëgiminë shtetërore dhe ambientet e rëndësishme të përdorura nga autoritetet qeveritare./ekofin.al


Më të lexuarat