Rama: Nuk do legalizohen ndërtimet pa leje pas 2020, listë e zezë për ndërtuesit
Rama paralajmëron masa të rënda ndaj ndërtuesve abuzivë: “Listë e zezë për ata që shkelin ligjin”.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me deputetët e Tiranës dhe drejtues të Bashkisë, deklaroi se qeveria po përgatit masa të ashpra ndaj ndërtuesve që abuzojnë me ligjin dhe territorin. Ai e cilësoi situatën aktuale si një “mashtrim të madh” që ka kaluar për shumë kohë pa u adresuar.
“Nuk po flasim për banesat që janë ndërtuar për të futur kokën, por për ato që janë ndërtuar për qëllime fitimi”, theksoi Kryeministri.
Krijimi i një “liste të zezë” për ndërtuesit abuzivë
Një ndër masat konkrete të paralajmëruara është miratimi me ligj i një “liste të zezë” për investitorët që shkelin ligjin dhe abuzojnë me ndërtimet. Sipas Ramës, çdo ndërtues që do të përfshihet në këtë listë do të humbasë automatikisht të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe nuk do të lejohet të përfshihet më në industrinë e ndërtimit.
“Do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të atyre që abuzojnë me territorin. Kushdo që hyn në këtë listë, do të penalizohet rëndë”, paralajmëroi Rama.
Ndërtimet pa leje dhe legalizimet pas 2020 nuk do të njihen
Kryeministri theksoi gjithashtu se asnjë ndërtim i bërë pas vitit 2020 nuk do të legalizohet. Ai shtoi se ndërtuesit që kanë zaptuar hapësira publike në mënyrë abuzive për qëllime fitimi nuk do të përfitojnë nga asnjë proces legalizimi.
“Procesi i legalizimit është mbyllur në vitin 2020. Asgjë e ndërtuar pas këtij viti nuk do të legalizohet. Ata që deklarojnë ndërtime të tilla për të përfituar kur ndërhyn bashkia apo qeveria, do të skualifikohen menjëherë nga Agjencia e Kadastrës.”
Masa drastike për ndërtuesit që lënë qytetarët pa dokumente
Një tjetër kategori që do të penalizohet rëndë janë ndërtuesit që mashtruan qytetarët, duke u shitur apartamente pa dokumentacion të rregullt apo duke i bllokuar ata të futen në banesat e tyre.
“Janë ndërtues problematikë si ata që s’lejuan banorët të futen në pallate, apo ata që i lanë blerësit pa dokumente pronësie. Do të merren masa drastike dhe u bëj thirrje të nxitojnë për ta zgjidhur këtë çështje para se të miratohet akti i ri ligjor”, nënvizoi Kryeministri. /Ekofin