Secondary Adv

Borxhi publik rinis rritjen, arrin në 55.7 për qind të PBB në qershor

Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 55.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të qershorit 2025.

Borxhi publik u rrit në 55.7 % të PBB-së në fund të qershorit 2025 në krahasim me 53.9% që ishte në fund të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

 

Brenda 6 muajve borxhi publik u rrit me 1.8% të PBB-së, si rrjedhojë e emetimit të eurobondit 650 milionë euro me afat 10 vjeçar në shkurt të këtij viti. Ministria e Financave po planifikon që niveli i borxhit publik të jetë në 57.6 për qind të PBB-së ketë vit. Ministri i financave, Petrit Malaj ka pohuar se borxhi do të vijë në ulje për shkak të shlyerjeve në 6 mujorin e dytë të 2025 të maturimeve të eurobondeve në të marra vitet e fundit.

 

Borxhi i përgjithshëm i qeverisë qendrore në fund të qershorit 2024 ka arritur mbi 1.3 trilion lekë. 56,3% të totalit e zë borxhi i brendshëm, ndërsa borxhi i jashtëm përbën 43.7%.

 

Ndarja sipas maturimit tregon se borxhi afatgjatë përbën pjesën dërrmuese të detyrimeve, me 84.1% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër përfaqëson vetëm 15.9%.

 

Interesat e paguara për borxhin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 arritën në 29.3 miliardë lekë, që përbën 1.2% të PBB-së.

 

Gati 63 për qind e borxhit të jashtëm është në euro. Ky ekspozim në rritje në ndaj euros mund të kthehet në rrezik veçanërisht leku zhvlerësohet.

 

Rritja e të ardhurave mbi parashikimet dhe nga ana tjetër paaftësia për të realizuar shpenzimet publike sipas programit buxhetor ka ndihmuar në rënien e borxhit publik përtej pritshmërive në vitet e fundit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024 borxhi publik arriti në 54,74% e PBB-së, me një rënie prej 2,7 pikësh në raport me vitin 2023. Ky ishte niveli më i ulët i borxhit publik në raport me PBB-së që nga viti 2008.

 

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lajmëruar shpenzimet publike të vendit do të rriten së paku me 7% të PBB-së në dhjetë vitet e ardhshme (afërsisht 1,7 mld euro).

 

Në vitin 2024, shpenzimet publike të vendit ishin rreth 31% të PBB-së, por në dekadën në vijim do të duhet të arrijnë mbi 38% të PBB-së, për shkak të nevojave më të larta për financimin e skemës së pensioneve dhe për financimet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë, si pasojë e plakjes së popullsisë.

 

Stafi teknik i FMN-së projekton një rritje të shpenzimeve buxhetore, duke filluar nga viti 2026. Faktorët që do të ndikojnë më shumë janë shpenzimet për sigurime shoqërore, shpenzimet më të mëdha për mirëmbajtje dhe digjitalizim.

 

Për të ruajtur balancat, shpenzimet publike duhet të shoqërohen me rritje të të ardhurave. Veçanërisht, konsiderohet e rëndësishme reforma e pensioneve, e cila duhet të sigurojë një mbulim më të mirë të popullsisë me kontribute. Për rritjen e të ardhurave për sigurimet shoqërore, do të duhen reforma që përfshijnë uljen e informalitetit në tregun e punës, duke përfshirë edhe sektorin bujqësor.

 

/Monitor (https://monitor.al/borxhi-publik-rinis-rritjen-55-7-te-pbb-se-ne-qershor/)


Më të lexuarat