Secondary Adv

Shpallet kontrata 528 mln lekë për projektimin dhe ndërtimin e burgut të Kukësit

Shpallet tenderi për ndërtimin e Burgut të Ri në Kukës me fond 528 milion lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur njoftimin e kontratës për “Projektimin dhe ndërtimin e IEVP Kukës”, për të cilin Avokati i Popullit në 2024 kishte rekomanduar mbylljen për shkak të gjendjes së mjerueshme.

 

Niveli i kontratës është “I kufizuar” dhe me fond limit 528,385,376 pa TVSH.

 

Qëllimi i këtij investimi është hartimi i projektit sipas fazave, nxjerrja e lejeve përkatëse, realizimi i punimeve të ndërtimit dhe dorëzimi i objektit të përfunduar me “çelësa në dorë”.

 

Kohëzgjatja e kontratës do të jetë: për projektim dhe zbatim 24 muaj (për zbatimin 18 muaj), ndërsa përqindja e lejuar për nënkontraktim nuk do të jetë më shumë se 50%.

 

Kjo procedurë prokurimi është e klasifikuar në nivelin “I Kufizuar” dhe do të zhvillohet bazuar në ligjin nr. 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”; si dhe ligje të tjera në këtë fushë. Procedurë e kufizuar është procedura, nëpërmjet së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të jetë pjesë, por vetëm operatorët ekonomikë të ftuar nga autoriteti/enti kontraktor mund të paraqesin një ofertë.

 

Procedura përfshin dy faza kryesore:

 

Në fazën e parë do të kryhet parakualifikimi dhe përzgjedhja e kandidatëve përpara dërgimit të ftesës për ofertë nga Autoriteti Kontraktues. Parakualifikimi i ofertuesve është një proces i ndryshëm nga procedura e vlerësimit të ofertave, e cila përqendrohet në çmimin dhe kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Procesi i parakualifikimit do të bëhet duke u përqendruar në vlerësimin e përvojës dhe aftësinë e kandidatëve për të zbatuar në mënyrë të kënaqshme kontratën konkrete, thuhet në dokument.

 

Qëllimi kryesor i parakualifikimit është përzgjedhja e atyre kontraktorëve/furnitorëve, kualifikimet dhe përvoja e të cilëve minimizon rrezikun e mosekzekutimit, sipas projektit/kontratës së propozuar.

 

Operatorët e huaj duhet të bëjnë ekuivalentimin e licensave profesionale që disponojnë të lëshuara nga vendi i origjinës, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, (ose Ministrisë kompetente të kohës) në Republikën e Shqipërisë.

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesit nuk do të jetë çmimi më i ulët, por oferta ekonomikisht më e favorshme. Shpërndarja e pikëve është për çmimin 50 pikë; koha e zbatimit të kontratës, grafiku i zbatimit 30 pikë; si dhe cilësia 20 pikë. Autoriteti Kontraktor do të duhet të specifikojë pikët për çdo kriter vlerësimi të vendosur.

 

Ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar (për fazën e dytë) duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, në vlerën 2% të vlerës së fondit/vlerës së përafërt të kontratës, të përcaktuar në dokumentet e tenderit, në vlerën 10.567.707,52 Lekë.

 

Afati kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje është data 27 gusht 2025, ora 10:00.

 

Referuar parashikimeve të Ligjit për Financat Publike dhe Menaxhimi i tyre (LPFMS) dhe nenit 28 të Rregullave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, miratuar me VKM nr. 1170, datë 24.12.2020, dokumentet e tenderit do t’u vihen në dispozicion kandidatëve të përzgjedhur me qëllim hartimin dhe dorëzimin e ofertave për fazën e dytë të procedurës. /ekofin.al


Më të lexuarat