Me qira për 20 vjet, ambientet që do t’i jepen privatit në Kalanë e Lëkurësit dhe Rozafës
Në Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe atë të Lëkurësit në Sarandë është parashikuar që të kalojnë tek privati për një shfrytëzim me qira 20 vjeçare dy ambiente shërbimi.
Dhënie me qira afatgjatë në dy monumente kulture
Në Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë, dy ambiente shërbimi pritet t’i kalojnë sektorit privat për një periudhë 20-vjeçare me qira, në kuadër të një projekti të rijetësimit të pasurive kulturore.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë të ditur se kjo iniciativë është pjesë e procedurës së dhënies në përdorim të pasurive kulturore publike, me qëllim rijetësimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e tyre.
Detaje mbi ambientet që do të jepen me qira
-Kalaja e Lëkurësit – Sarandë
Ambienti që do të jepet me qira ka një sipërfaqe prej 862 m² dhe ndodhet brenda rrënojave të fshatit të braktisur Lëkurës, mbi një kodër me pamje panoramike.
Kalaja gëzon statusin “pasuri kulturore”, i rikonfirmuar me urdhrin nr. 482, datë 1.8.2023 dhe miratuar nga VKM nr. 730, datë 13.12.2023, e cila përfshin edhe planin e ruajtjes dhe zonimit të saj.
-Kalaja e Rozafës – Shkodër
Ambienti që do t’i jepet privatit ndodhet në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafës dhe ka një sipërfaqe prej 196.2 m².
Ky monument gëzon statusin e “pasurisë kulturore” të shpallur që nga viti 1948 dhe është objekt i VKM nr. 788, datë 18.12.2024, që përcakton zonifikimin dhe planin për administrimin e zonës arkeologjike.
Kriteret për përzgjedhjen e subjekteve
Subjektet e interesuara, qofshin individë apo persona juridikë, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh teknike, ligjore dhe financiare, përfshirë:
1.Kapacitete tekniko-ligjore për menaxhimin e pasurive kulturore.
2.Gjendje financiare dhe gjyqësore e pastër.
3.Propozimi për përdorimin e pasurisë kulturore.
4.Projekti i rijetësimit, sipas nenit 185 të ligjit nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
5.Analiza e detajuar e projektit dhe plani i zhvillimit të territorit.
6.Dokumentacion për pjesëmarrje në projekte të mëparshme të ngjashme.
7.Garanci për miradministrim, në formën e një vërtetimi bankar të tre muajve të fundit, me vlerë jo më pak se 10% e investimit të propozuar.
8.Vërtetim për xhiron mesatare vjetore të tre viteve të fundit, jo më pak se 50% e vlerës së investimit të parashikuar.
Qëllimi i dhënies me qira: Rijetësim dhe ruajtje e trashëgimisë*
Përmes kësaj skeme, Ministria synon të nxisë investimet private në rijetësimin e monumenteve të kulturës, duke siguruar një model të qëndrueshëm bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat për ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore. /Monitor(https://monitor.al/me-qira-per-20-vjet-ambientet-qe-do-ti-jepen-privatit-ne-kalane-e-lekuresit-dhe-rozafes/)