Secondary Adv

Krahas Tiranës, rekord ndërtimesh edhe në Kamzë, Golem e Lezhë në 2024

Gjatë vitit 2024, bashkitë në Shqipëri arkëtuan 18.5 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, me rritje 42.3% krahasuar me 2023.

Arkëtimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rriten me 42.3%

Sipas raportit të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, “Qeverisja Vendore në Shqipëri – Raport mbi situatën aktuale”, në vitin 2024, 61 bashki në rang vendi arkëtuan 18.5 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për lejet e reja të ndërtimit. Kjo përfaqëson një rritje prej 42.3% krahasuar me vitin 2023.

 

Tirana në krye me 72% të totalit të arkëtimeve

Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të të ardhurave me 14.3 miliardë lekë të arkëtuara, që përfaqësojnë 72% të totalit kombëtar dhe një rritje prej 53% krahasuar me vitin 2023 (nga 9.3 miliardë lekë).

Rritja në kryeqytet është ndikuar nga:

 

-Rritja e sipërfaqeve të ndërtimit (1.9 milionë m², +36% në vit).

-Ndryshimet në çmimet e referencës që nisën zbatimin në gusht 2023.

 

Kamza në vend të dytë: 1.3 miliardë lekë të ardhura

Kamza renditet pas Tiranës me 1.3 miliardë lekë të arkëtuara në vitin 2024, një rritje prej 23% krahasuar me vitin paraardhës.

Zhvillimi është përqendruar në zonën e Paskuqanit, ku po ndërtohen komplekse banimi me çmime më të ulëta se në Tiranë (800–1200 euro/m² kundrejt 1400+ euro/m² në kryeqytet).

 

Kavaja dhe Golemi: Boom ndërtimesh dhe kërkesë e lartë

Kavaja, në vend të tretë, arkëtoi 584 milionë lekë, me rritje 54% vjetore.

Në zonën e Golemit, ndërtimet për hotele dhe komplekse banimi janë intensifikuar, duke zënë gjithnjë e më shumë hapësira të gjelbra. Kërkesa nga të huajt ka shtyrë çmimet në rritje, që nisin nga 1400 euro/m².

 

Lezha – Rritja më e lartë në përqindje: +256%

Lezha shënoi rritjen më të madhe për 2024, me 460.4 milionë lekë të arkëtuara, një rritje prej 256% krahasuar me 2023.

Në zonën e Shëngjinit po ndërtohen pallate dhe hotele, të nxitura nga kërkesa në rritje, kryesisht nga shtetas të Kosovës dhe blerës polakë.

 

Rënie të ardhurash në Durrës, Vlorë dhe Sarandë

Pavarësisht pozicionimit bregdetar, disa bashki shënuan rënie të të ardhurave:

 

-Durrësi: 231 mln lekë, -38% krahasuar me 2023.

-Vlora: 203 mln lekë, -27% krahasuar me 2023.

-Saranda: 179.4 mln lekë, -39% krahasuar me 2023.

 

Këto ulje lidhen me ngadalësimin e ritmeve të ndërtimit dhe kufizimet territoriale në zonat turistike.

 

Rritje e ndjeshme edhe në Shkodër

Shkodra shënoi një rritje të konsiderueshme të të ardhurave, duke kaluar nga 65.7 milionë lekë në 2023 në 140.7 milionë lekë në 2024 – një rritje prej 114%. /Monitor(https://monitor.al/krahas-tiranes-rekord-ndertimesh-edhe-ne-kamze-golem-e-lezhe-e-ne-2024-n/)


Më të lexuarat