Miratohet projekti me kulla i stadiumit Flamurtari, pritet zbatimi me zhvillues privatin
Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar projektin për rizhvillimin e zonës së stadiumit “Flamurtari”, që parashikon ndërtimin e kullave dhe një kompleksi modern.
Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi në mbledhjen e fundit projektin për rizhvillimin e zonës së stadiumit “Flamurtari”, përmes një plani të ri urban që parashikon ndërtimin e një kompleksi modern sportiv dhe rezidencial me kulla.
Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) ka shprehur interes për të marrë në dorë këtë projekt të zgjeruar, i cili më herët ishte premtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh).
Në vitin 2023 u zhvillua edhe konkursi ndërkombër, ku pas prezantimit të projekteve finaliste, fituese u shpall alternativa e studios belge “Xaveer De Geyter Architects (XDGA)”, e cila konkurroi në bashkëpunim me Consulting & Management Albania, Jeshile dhe Bollinger + Grohman.
Në garë për këtë projekt ambicioz ishin edhe dy studio të njohura ndërkombëtare: FUKSAS nga Italia dhe OPPENHEIM Architecture, me zyra në SHBA dhe Zvicër.
Ekofin.al risjell maketet e projektit fitues të studios belge, ku veç stadiumit të ri “Flamurtari”, parashikohet edhe ndërtimi i katër kullave, të cilat mund të sjellin edhe prishje të ndërtesave në afërsi të kompleksit sportiv.
Pikërisht, për këtë arsye, në mbledhjen e këshillit bashkiak Vlorë ka pasur debate mes anëtarëve të opozitës, të cilët paralajmërojnë se projekti mund të prekë banesa dhe prona që janë ende në proces legalizimi, duke krijuar pasoja sociale për banorët e zonës.
Tashmë, Korporata e Investimeve Shqiptare, pas miratimit të VKM-së për kalimin në pronësi të pronave shtetërore në zonën e stadiumit, do të hapë thirrjen për zhvillimin me privatin, bazuar në projektin e studios belge, ashtu siç bëri së fundmi me stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. /ekofin.al(https://ekofin.al/keshilli-bashkiak-i-vlores-miraton-projektin-me-kulla-te-stadiumit-flamurtari-pritet-zbatimi-nga-korporata-me-zhvillues-privatin/)