
Ish-ushtaraket, Kodheli: Fond 1 miliard lek per pensionet
Rreth 1 miliardë lekë është fondi që Qeveria shqiptare ka vënë në dizpozicion të 5425 ish-ushtarakëve për pensionet. Ky vendim ka hyrë në zbatim prej datës 1 nëntor.
Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një takim me ish-ushtarakët, ku të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.Ministrja Mimi Kodheli theksoi se me ligjin e ri është bërë e mundur që të përfitojnë rreth 5000 ishushtarakë. Sipas ministres, ky ligj është përmbushje e një premtimi të bërë rreth 40 muaj më parë. Ndërkohë që qeveria shqiptare do të shpenzojë rreth 1 miliard lekë për pensionet e ish-ushtarakeve.
“Ne kemi dhënë një premtim si qeveri tre vite e pak më parë, rreth 37–40 muaj më parë për vënien në vend të një detyrimi apo për kthimin e një detyrimi, i cili ishte i bazuar jo vetëm në atë çka duhet të përfitonte kjo shtresë e shoqërisë por edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk u zbatua kurrë nga qeveria e mëparshme. Vendim në fakt, i cili rikthente një pjesë të borxheve që shoqeria shqiptare i kishte shtresës së ish-ushtarakëve. Me këtë ligj të ri që kemi bërë, me punën e ministrit Klosi dhe me mbështetjen e të gjithë parlamentarëve që votuan këtë ligj, ne kemi bërë të mundur që të përfitojnë nga ky ligj rreth 5500 ish-ushtarakë. Fatura që qeveria do të paguajë është e konsiderueshme, sepse përafron tek 1 miliard lekët e reja”, tha Kodheli.
Ndër të tjera, ministrja e Mbrojtjes tha se faturat e prapambetura nga qeveria e kaluar ishin 16 milionë euro të cilat u paguan nga taksapaguesit shqiptarë.
“Ne ndofta nuk kemi qenë ti përshkruajmë publikut gropën e zezë që ne gjetëm në detyrimet e llogarive të ministrive dhe të qeverisë me ardhjen tonë në pushtet. Fatura që më është dashur të paguaj si ministri i Mbrojtjes sigurisht me paratë e taksapaguesve shqiptare ka qenë 16 mln euro, shërbime dhe fatura dhe produkte të papaguara më parë që nga viti 2008”, tha znj.Kodheli.
Ndërsa ministri i Mirëqenies dhe Rinisë z. Blendi Klosi tha se është një shumë prej 368 milionë lekë që do ti kthehet në llogari ish-pensionistëve. Klosi tha se deri në pranverën e vitit tjetër do të shlyet i gjithë detyrimi që ish-ushtarakët kanë paguar nga një gabim që është konsideruar si administrative.“Janë plot 5425 ish-ushtarakë që gjenden debitorë para sistemit të pensioneve prej një shumë detyrimi që mbetej për tu shlyer plot 984 mln lekë. Shumë debitore e cila do të falet me vendimin e parlamentin si dhe shumë 368 milionë lekë e cila janë detyrime të mbajtura nga grupimi juaj dhe ne me një vendimmarrje të pastër këtë shumë do ta kthejmë në buxhetet tuaja. Pra plot 368 mln lekë apo 3 mln dollarë do të rikthehen në llogarinë tuaj bankare. Pra deri pranverën e vitit tjetër do të jenë shlyer të gjithë ato që keni paguar në mënyrë të konsideruar si gabim administrative, si një vendimmarrje e padrejtë për të pasur mundësi që këto para të kthehen në buxhetet e familjeve tuaja”, tha Ministri Blendi Klosi.
Kështu, duke nisur nga 1 nëntori ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për procedurat e pagesës së debisë për 5.425 ishushtarakë në pension, të cilëve u është ndalur në mënyrë të padrejtë një pjesë e pensionit nga dhjetori 2010 deri në prill të 2016.Sipas këtij vendimi, shlyerja e pagesave nis në nëntor 2016 dhe do të përfundojë në maj 2017. Sipas vendimit të botuar dje në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se: “Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017″.
Më të lexuarat








