Debitorët e energjisë, Këste mujore nga 1200 lekë dhe falje e kamatave për pagesë të plotë
Faturat e papaguara të energjisë deri në fund të 2023-ës mund të shlyhen me këste
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka hapur një skemë lehtësuese për shlyerjen me këste të faturave të papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2023. Skema përfshin familjet, bizneset e vogla dhe institucionet publike, duke i ndarë detyrimet në pagesa mujore, sipas një marrëveshjeje me OSHEE.
Kush përfiton nga skema?
Të drejtë për të përfituar kanë:
-Familjet (abonentë familjarë)
-Familjet në nevojë, me status të veçantë dhe pensionistët
-Bizneset e vogla
-Institucionet publike
Skema nuk vlen për ata që kanë fatura të papaguara nga janari 2024 e në vijim. Për t’u përfshirë në këtë program, është e nevojshme që klientët të kenë paguar të gjitha faturat pas datës 1 janar 2024.
Kushtet e pagesës dhe këstet mujore
-Klientët familjarë mund të shlyejnë detyrimin deri në 240 këste mujore.
-Kësti minimal për familjet në nevojë është 1.200 lekë, ndërsa për familjet e tjera 2.800 lekë.
-Për klientët që paguajnë më shpejt, mundësohen këste alternative, gjithmonë brenda afatit maksimal të 240 kësteve.
-Klientët jo-familjarë (bizneset e vogla dhe institucionet) mund të ndajnë detyrimin në deri 120 këste, në varësi të shumës së borxhit.
Falja e kamatave për pagesë të menjëhershme
Debitorët që zgjedhin të shlyejnë detyrimin me një këst të vetëm, përfitojnë falje të kamatave nga 50% deri në 100%, sipas përqindjes së detyrimit të shlyer.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për familjet:
-Kartë identiteti e aplikantit
-Vërtetim i statusit për kategoritë në nevojë
Për bizneset e vogla:
-Kartë identiteti
-NIPT
-Regjistrimi në QKB
-Vërtetim tatimor që provon përgjegjësinë tatimore të biznesit
Si funksionon marrëveshja?
Pas nënshkrimit të aktmarrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe të vijojë me pagesa të rregullta mujore, deri në shlyerjen e plotë të borxhit.
Një skemë e ngjashme u aplikua edhe vitin e kaluar, ku rreth 7.000 aktmarrëveshje u lidhën me klientë familjarë dhe biznese. /Shqiptarja.com