
Rivlerësimi i pronave me tatim 5 për qind, Ministria e Financave hedh për konsultim projektligjin
Projektligji i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme: Tatim 5% mbi diferencën e vlerës
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2026. Drafti synon të krijojë një bazë më të drejtë tatimore dhe të përmirësojë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme.
Afatet për aplikim dhe kushtet
Sipas projektligjit, të gjithë individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme do të kenë të drejtë të kryejnë rivlerësimin nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, me vlerën aktuale të tregut.
Kërkesat e dorëzuara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), por të pa përpunuara brenda datës 30 shtator 2026, do të konsiderohen të vlefshme nëse pagesa e tatimit kryhet brenda 31 dhjetorit 2026.
Tatimi për rivlerësimin do të jetë 5% e diferencës ndërmjet vlerës së mëparshme dhe asaj të re të pronës, sipas çmimit të tregut.
Kush kryen rivlerësimin
Rivlerësimi mund të kryhet në dy mënyra:
-Nga një ekspert i licencuar, me aktin përkatës të vlerësimit që bashkëlidhet me aplikimin.
-Nga ASHK, duke përdorur çmimet minimale fiskale në fuqi. Në këtë rast, aplikuesi duhet të shprehet qartë në formularin përkatës.
Zyrat e ASHK do të përllogarisin bazën e tatueshme si diferencën ndërmjet vlerës së ekspertit (ose çmimit minimal fiskal) dhe vlerës së regjistruar aktualisht, për të cilën është paguar tatimi në të kaluarën (nëse ka pasur rivlerësim të mëparshëm).
Rregulla për pronat pa kontratë shitjeje
Në rastet kur prona është e regjistruar pa një kontratë shitjeje, vlera e referencës për rivlerësim do të jetë ajo e çmimit minimal fiskal në momentin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
Tatimi mbi fitimin pas rivlerësimit
Në rast të kalimit të pronësisë mbi pasurinë pas rivlerësimit, tatimi do të llogaritet mbi fitimin real të realizuar, si diferencë ndërmjet çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar.
Edhe për persona juridikë
Edhe personat juridikë do të kenë të drejtë të bëjnë rivlerësim deri më 30 shtator 2026, për pasuritë që kanë të regjistruara në pasqyrat financiare me vlerë më të ulët se ajo e tregut.
Diferenca ndërmjet vlerës së re dhe vlerës kontabël do të reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026, dhe për të do të aplikohet gjithashtu tatimi 5%.
Përfshihen edhe pasuritë në proces regjistrimi
Projektligji parashikon që edhe pasuritë në proces regjistrimi apo legalizimi të përfshihen në këtë rivlerësim. Megjithatë, procedurat për këto kategori do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Rivlerësimi i pezulluar prej më shumë se një viti
Ky proces kishte mbetur pezull që prej majit 2023, kur u propozua një projektligj nga deputetja Blerina Gjylameti me tatim 3%, por që nuk u miratua nga qeveria. Aktualisht, qeveria ka vendosur për tatim 5%, i cili do të aplikohet pas miratimit të çmimeve të reja të referencës. /Monitor(https://monitor.al/rivleresimi-i-pronave-me-tatim-5-ministria-e-financave-hedh-per-konsultim-projektligjin/)
Më të lexuarat








