Secondary Adv

Jo vetëm marka e ilaçit, miratohet receta e re mjekësore, do të përdoret nga 1 gushti

Nga 1 gushti hyn në fuqi formati i ri i recetës mjekësore, i cili do të jetë i vetmi që do të pranohet në farmaci.

Recetat do të përshkruhen me emrin gjenerik të barit dhe do të vlejnë vetëm për medikamentet e regjistruara në Regjistrin Kombëtar. Pacientët me sëmundje kronike do të pajisen me recetë që vlen për 6 muaj, duke shmangur vizitat e shpeshta te mjeku.

 

Ky është formati i ri i recetës mjekësore, dhe i vetmi që do të pranohet nga farmacistët.  Duke filluar nga 1 gushti asnjë mjek nuk do të mund të lëshojë më recetat për ilaçe ku përshkruhet vetëm emri tregtar i barit, pra marka.

 

Me formatin e ri të recetës, krahas markës, mjekët janë të detyruar të shkruajnë edhe emrin gjenerik të ilaçit, për të bërë të mundur që farmacistët të mos abuzojnë. Kjo parandalon gjithashtu influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike.

 

Udhëzimi i ri i 11 korrikut, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, sanksionon se recetat do të jenë të unifikuara si për sistemin publik ashtu edhe për atë jopublik. Në udhëzim sanksionohet gjithashtu se asnjë bar i cili është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Barnave nuk mund të jepet pa recetë nga farmacistët.

 

Një tjetër risi është receta periodike, e zgjatur në kohë. Për pacientët me sëmundje kronike, të cilët përdorin të njëjtin ilaç në mënyrë të vazhdueshme, procedura do të thjeshtohet ndjeshëm. Ata nuk do të kenë më nevojë të paraqiten çdo muaj te mjeku, por vetëm një herë në gjashtë muaj. Me një kopje të recetës, mund të shkojnë direkt në farmaci për të marrë barnat e nevojshme.

 

Gjithashtu me udhëzimin e ri farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara farmacisti do të duhet të shënojë ilaçët që i ka dhënë pacientet, sasinë e marrë dhe datën duke e firmosur edhe vulosur. Me dokumentin e ri pacienti mund të marrë ilaçin e munguar në një farmaci tjetër, por tashmë e ka nisur kurën pa vonesa. Farmacia duhet të mbajë një kopje të kësaj recete.

 

Në dokument paralajmërohen masa dhe penalizime ndaj mjekë dhe farmacistëve që nuk respektojnë formatin i ri të recetës, e cila do të jetë edhe në format elektronik për të gjithë profesionistët. /Shqiptarja


Më të lexuarat