NAREA: Publikimi i rivlerësimit tani do bllokojë tregun, nuk u konsultuam për referencat e reja
Ministria e Financave nxori dje në konsultim publik dy akte të rëndësishme në lidhje jo vetëm me rivlerësimin e pronave, por edhe hartën e re me çmimet e referencës.
Ministria e Financave nxori dje në konsultim publik dy akte të rëndësishme në lidhje jo vetëm me rivlerësimin e pronave me tatim të reduktuar 5% nga 15% që është zakonisht, por edhe hartën e re me çmimet e referencës për të gjithë Shqipërinë, e cila do të ketë shumë rëndësi pasi do të merret për bazë për reformën e taksës së pronës, për të cilën qeveria ka paralajmëruar se do të nisë zbatimin në vitin 2026.
Në lidhje me publikimin për konsultim publik të projektligjit për rivlerësimin e pronave, ku parashikohet nisja e procesit në 1 janar 2026, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), Reinaldo Pipiria, i tha ekofin.al se akti për rivlerësimin është i mirëpritur për tregun e pasurive të paluajtshme, por nxjerrja e tij në konsultim në këtë periudhë është e parakohshme dhe e panevojshme.
Sipas NAREA-s, nxjerrja e aktit në fund të korrikut, kur procesi parashikohet të nisë në 1 janar 2026, do të sjellë një tjetër bllokim të tregut të pasurive të paluajtshme, ashtu siç ndodhi një vit më parë kur veprimet u pezulluan në pritje të rivlerësimit, pas draftit të propozuar nga ish-deputetja socialiste Blerina Gjylameti me tatim të reduktuar 3%.
Ndërsa, për sa i përket hartës së re me çmimet e referencës për të gjitha qytetet e vendit, shoqata thekson se nuk është konsultuar në asnjë fazë me Ministrinë apo institucionet përgjegjëse dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë tryezë diskutimi. NAREA thekson se e njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2023 kur u vendosën referencat e reja për Tiranës.
Në parim, Pipiria propozon që çmimet e referencës të përcaktohen bazuar në një mesatare të ponderuar, bazuar në transaksionet reale të regjistruara në Kadastër sipas zonave, dhe jo përmes ndarjes së prerë me vija kufizuese artificiale.
Një shembull i kësaj qasjeje problematike, sipas tij, është rasti i Tiranës, ku ndërtesa në njërin krah të rrugës ka çmim reference më të lartë sesa ajo në krahun tjetër, duke krijuar pabarazi dhe pasiguri të panevojshme në treg.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, referencat më të larta të propozuara për rrethet janë për zonat bregdetare, por ajo që hap diskutime krahasuar me vlerën reale të çmimeve, nisur edhe nga njoftimet e agjentëve imobiliarë është se referenca prej 200 mijë lekësh për Durrësin dhe ishullin e Sazanit është shumë më e lartë se pronat në Vlorë dhe Sarandë, të cilat në fakt shiten më shtrenjtë.