Secondary Adv

Mbulimi i kredisë me kolateral u rrit në 2024, më shumë se 46 për qind garantohet me prona

Mbulimi i kredisë bankare me kolateral u rrit gjatë vitit 2024.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shkalla e mbulimit të kredisë me kolateral u arriti në 76.2%, nga 75% që kishte qenë një vit më parë.

 

Lloji më i përdorur i kolateralit nga bankat vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Pronat mbulojnë 46.2% të portofolit të kredisë në lekë dhe në valutë të huaj. Pjesa e kredisë së mbuluar me kolateral është rritur më tej nga niveli prej 44% i një viti më parë.

 

Përdorimi i pasurive të paluajtshme si kolateral është më i lartë te individët, ku pronat garantojnë 73% të kredive në valutë dhe 58% të kredive në Lekë. Për bizneset, pasuritë e paluajtshme mbulojnë 38% të kredisë në valutë dhe në Lekë.

 

Llojet e tjera të kolateralit mbulojnë 36% të kredisë në valutë dhe 24% të kredisë bankare në Lekë. Këtu përfshihen edhe një pjesë relativisht e vogël e kredisë që mbulohen me kolateral në formën e parasë cash, që përbën edhe llojin më cilësor të kolateralit për bankat. Kolaterali në cash mbulon 2% të kredisë në valutë dhe 1% të kredisë në Lekë.

 

Ndërkohë, pjesa tjetër e kredisë së kolateralizuar është e mbuluar me lloje të tjera kolaterali, ku përfshihen makineritë e pajisjet, inventarët ose llojet e tjera të kolateralit financiar përveç parasë cash, si për shembull, aksione të shoqërive tregtare apo portofole kredie, në rastin e kredive të dhëna për institucionet financiare, etj.

 

Kredia e pambuluar me kolateral në fund të vitit kaluar përbënte 23.8% të totalit të portofolit të kredisë së sektorit bankar, në rënie të lehtë nga niveli prej 25% i një viti më parë. Kredia e pakolateralizuar përbën 18% të kredisë në valutë dhe 28% të kredisë në Lekë.

 

Shkalla e lartë e garantimit të kredive me kolateral në pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave. Një rënie e mundshme e çmimeve të pronave do të krijonte rreziqe të shtuara për shëndetin e sektorit bankar në vend.

 

Në muajin maj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi, që si rregull garantohet me pasuri të paluajtshme.

 

Vendimi parashikon përcaktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

 

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

 

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

 

/Monitor (https://monitor.al/mbulimi-i-kredise-me-kolateral-u-rrit-ne-2024-me-shume-se-46-e-portofolit-garantohet-me-prona/)


Më të lexuarat