Projekti me kulla i stadiumit Flamurtari, Korporata hap thirrjen për zhvillues privatë
Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi projektin për një kompleks të ri sportiv e rezidencial me kulla në zonën e stadiumit “Flamurtari”.
Vetëm dy ditë parë Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi projektin për rizhvillimin e zonës së stadiumit “Flamurtari”, përmes një plani të ri urban që parashikon ndërtimin e një kompleksi modern sportiv dhe rezidencial me kulla.
Menjëherë pas këtij miratimi, Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) ka hapur fazën e parë të procedurës konkurruese ndërkombëtare për përzgjedhjen e partnerit privat që do të realizojë projektin e rijetëzimit të stadiumit “Flamurtari” në Vlorë, së bashku me rindërtimin e pishinës, pallatit të sportit dhe rikualifikimin urban të zonës përreth.
Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projektidenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “XDGA | Consulting and Management Albania ltd | Jeshile Landscape | Bollinger + Grohmann Sarl | Ledia Kostandini”.
Në fazën e parë të procedurës, kandidatët duhet jo vetëm të plotësojnë kriteret e kualifikimit, por edhe të angazhohen për përmbushjen e një sërë detyrimesh, të cilat përbëjnë kushte paraprake të kontratës së sipërmarrjes.
Këto përfshijnë: pagesën e hartimit të projektit të zbatimit dhe dokumentacionit për leje ndërtimi bazuar në projektidenë fituese; pagesën e taksave, tarifave dhe kontributeve gjatë gjithë fazës së zhvillimit të pronës; regjistrimin e pronës së re dhe kalimin e pjesës takuese të Korporatës; lidhjen e kontratës me nënkontraktorët e emëruar për përgatitjen e projektit dhe dokumentacionit teknik; zbatimin e plotë të projekt-idesë arkitekturore për të gjithë zonën, përfshirë stadiumin, pishinën, pallatin e sportit dhe rikualifikimin urban; si dhe lidhjen e kontratës së sipërmarrjes me Korporatën bashkë me mbulimin e të gjitha shpenzimeve përkatëse. Mospërmbushja e këtyre angazhimeve sjell pavlefshmërinë e kontratës.
Në fazën e dytë, ofertat do të vlerësohen mbi bazën e përqindjes më të lartë të sipërfaqes që i ofrohet Korporatës, mbi një kriter minimal prej 45%.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 30 shtator 2025, ora 13:00./ekofin.al