Godinë e re për Bashkinë Kamëz, hapet tenderi me fond limit 533,8 mln lekë
Bashkia e Kamzës do të ndërtohet e re duke patur edhe një parkim nëntokësor.
Gjithashtu, do të rehabilitohet edhe sheshi përreth. Procedura me fond limit të përllogaritur prej 533 milionë e 886 mijë lekësh është publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Sipas dokumentacionit, godina e re e bashkisë do të jetë një objekt trekatësh me parkim nëntokësor. Forma e ndërtesës është relativisht e rregullt dhe do të përmbajë të gjitha elementët e një ndërtese moderne administrative.
Vendndodhja e projektit është përcaktuar te “Fusha” mbrapa Bashkisë, përgjatë rrugës Venecia, në Kamëz. Projekti i propozuar përfshin ndërtimin e plotë të një objekti civil-administrativ me të gjitha elementët përbërës, duke përfshirë: punime strukturore mbajtëse, instalime elektrike, hidraulike dhe mekanike, sisteme për mbrojtje nga zjarri.
Të gjitha punimet do të realizohen në përputhje me konditat projektuese dhe standardet e ndërtimit në Shqipëri, duke respektuar gjithashtu legjislacionin teknik të Bashkimit Europian, në kuadër të afrimit të legjislacionit dhe praktikave ndërkombëtare.
Afati i realizimit të plotë të projektit është 24 muaj, duke filluar nga momenti i nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues.Për operatorët ekonomikë, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 11 gusht 2025, ora 10:00
Ky projekt pritet të sjellë jo vetëm një transformim fizik të zonës përreth bashkisë, por dhe të përmirësimojë dhe infrastrukturën e parkimit. /Scantv