Banka Qendrore Europiane mbajti të pandryshuara normat e interesit
Banka Qendrore Europiane mbajti të pandryshuara normat e interesit, mes një pasigurie të madhe ekonomike.
Banka Qendrore Europiane mbajti të pandryshuara normat e interesit, mes një pasigurie të madhe ekonomike, ndërsa Bashkimi Europian përpiqet të arrijë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara përpara fundit të muajit.
BQE ka ulur normat e interesit në secilin prej katër takimeve të saj këtë vit, duke e çuar normën bazë të depozitave nga 3% në janar në 2% në qershor. Vitin e kaluar, ajo i uli normat nga një nivel rekord prej 4%.
“Mjedisi mbetet jashtëzakonisht i pasigurt, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare,” tha BQE në një deklaratë.
Ndërsa inflacioni vjetor në Eurozonë arriti objektivin prej 2% të bankës qendrore muajin e kaluar, tregtarët në masë të madhe prisnin një pauzë në korrik — kryesisht për shkak të paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Shtetet e Bashkuara janë partneri më i madh dypalësh tregtar dhe investues i BE-së, dhe blloku me 27 anëtarë eksportoi në SHBA mallra me vlerë 503 miliardë euro (590 miliardë dollarë) vitin e kaluar.
Që prej së enjtes, e ardhmja e këtij partneriteti tregtar mbetet e paqartë, me një nga mundësitë që përfshin një tarifë bazë prej 15% për të gjitha importet nga BE-ja në SHBA, së bashku me masa kundërpërgjigjeje nga ana e BE-së.
Zyrtarët e BQE-së kanë sugjeruar prej disa kohësh se puna e tyre për uljen e inflacionit është pothuajse e përfunduar, ndërsa kërkojnë të përcaktojnë nivelin e ashtuquajtur “neutral”, në të cilin normat e interesit as nxisin dhe as frenojnë rritjen ekonomike. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha për CNBC në fund të prillit se procesi i çinflacionit ishte “në përfundim e sipër”.
Kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane, tha për CNBC në fillim të këtij muaji se “cikli i fundit ka përfunduar, duke e ulur inflacionin”, por se vendimmarrësit do të mbeten vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në perspektivën afatmesme.
Julien Lafargue, strategu kryesor i tregut në Barclays Private Bank, tha përpara njoftimit të takimit të korrikut se BQE do të mbetet “e kujdesshme” përderisa pyetjet mbi normat e tarifave tregtare mbeten pa përgjigje, dhe se është e mundur që banka qendrore të presë deri në shtator, kur do të publikohen parashikimet e përditësuara për rritjen dhe inflacionin nga stafi i saj, përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.
Lafargue shtoi gjithashtu se vëmendja e investitorëve do të përqendrohet më shumë te mesazhet që vijnë nga BQE-ja për atë nëse forca e fundit e euros — që mund të ketë efekt çinflacionues pasi importet bëhen më të lira — po përbën shqetësim për bankën qendrore.