Alarm i kuq, në vitin 2100 Shqipëria do jetë mes 5 shteteve më të plakur të botës
Shqipëria po hyn me shpejtësi në një epokë alarmante demografike, ku përqindja e të moshuarve në raport me popullsinë do të arrijë nivele të paprecedenta.
Të dhënat e fundit nga Kombet e Bashkuara, të vizualizuara nga Visual Capitalist, tregojnë se deri në vitin 2100, Shqipëria do të renditet e pesta në botë për përqindjen më të lartë të popullsisë mbi 65 vjeç, me 42.8% të popullsisë në këtë grupmoshë.
Aktualisht (në vitin 2025), Shqipëria ndodhet në vendin e 25-të me 27.9% të popullsisë të moshës mbi 65 vjeç. Por parashikimet e OKB-së e projektojnë në një nga shoqëritë më të vjetra në botë brenda pak dekadash.
Në vitin 2075, vendi ngjitet në vendin e 6-të në rang global, me 41.9%, ndërsa në vitin 2100 kapërcen Japoninë dhe shumicën e vendeve europiane, duke qëndruar në Top 5 bashkë me Hong Kongun, Porto Rikon, Kinën dhe Korenë e Jugut.
Ndërsa edhe vendet e tjera të Ballkanit do të përballen me plakje të popullsisë, asnjë prej tyre nuk ndjek ritmin e Shqipërisë.
Bosnje-Hercegovina parashikohet të ketë 37.5% të popullsisë mbi 65 vjeç në 2100; Maqedonia e Veriut dhe Kosova shfaqen për herë të parë në listën botërore në fund të shekullit, me përkatësisht 37.9% dhe 38.4%; Kroacia do të arrijë 35.9%. Serbia dhe Mali i Zi nuk figurojnë më në listën e vendeve me përqindje më të lartë të të moshuarve.
Si po ndihmon imigracioni Evropën
Në gjithë kontinentin, flukset e migrantëve tashmë po amortizojnë presionin demografik të rajonit. Sipas modeleve të Eurostat-it, pa imigracion, popullsia e BE-së do të tkurrej deri në një të tretën deri në vitin 2100, krahasuar me një rënie shumë më të butë prej vetëm 6% në skenarin bazë.
Në fakt, rritja e fundit e popullsisë në vende si Spanja dhe Gjermania ka ardhur pothuajse tërësisht nga imigracioni. Dhe Parlamenti Europian paralajmëron se mbyllja e kufijve do të përshpejtonte rritjen e raportit të varësisë nga mosha e tretë (numri i të moshuarve për çdo punonjës aktiv).
Edhe OECD arrin në të njëjtin përfundim: zgjerimi i migracionit të rregullt është një nga të paktat masa realiste për të ngadalësuar rrugëtimin e Europës drejt një raporti 1 me 2 ose më keq mes pensionistëve dhe punonjësve.
Në të kundërt, Shqipëria, e cila përballet me emigracion të lartë të të rinjve dhe fertilitet të ulët, nuk përfiton nga ky “frenues demografik”, duke përshpejtuar plakjen strukturore të popullsisë.
Plakja e popullsisë ka pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë, sistemin shëndetësor dhe skemën e pensioneve. Me një raport në rritje të pensionistëve ndaj forcës aktive të punës, vendi do të përballet me sfida serioze për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe sociale, por edhe me krizë të thellë demografike. /ekofin.al