Secondary Adv

BE jep 15 mln euro ndihmë financiare në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare

Bashkimi Evropian do t'i ofrojë 15 milionë euro Shqipërisë, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura. 

Këshilli Europian miratoi masën e dytë të ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes prej 15 milionë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes për Shqipërinë në 28 milionë euro deri më sot.

 

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot se ky është një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE- Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

 

“Shqipëria është një vend partner i afërt dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë,” tha ambasadori Gonzato, pas miratimit të masës së dytë të asistencës dypalëshe në kuadër në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare.

 

Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar tashmë nga Bashkimi Europian dhe synon të forcojë më tej dislokueshmërinë e Forcave të Armatosura Shqiptare.

 

Masa e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Shqipërisë për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, si dhe në koalicionet ndërkombëtare..

 

Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas vlerësoi se “Shqipëria është partnere e ngushtë dhe e përhershme e BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, kontribuuese në operacionet e BE-së dhe aleate e NATO-s”.

 

Kallas theksoi se “forcimi i bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përforcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Evropë”.

 

Vendimi i Këshillit ilustron angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm të BE-së me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai pasqyron gjithashtu angazhimin e ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë, duke u bazuar te nënshkrimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes BE-së dhe Shqipërisë në nëntor 2024 dhe çelja e Dialogut të parë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në prill 2025.

 

Miratimi i një pakete të re mbështetëse njeh përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

 

Përmes masës së Mekanizmit Evropian të Paqes, BE-ja do t’u ofrojë Forcave të Armatosura Shqiptare automjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, si dhe automjete taktike dhe inxhinierike dhe, kur është e nevojshme, furnizime dhe shërbime përkatëse, duke përfshirë trajnim operativ dhe të mirëmbajtjes. /Ekofin


Më të lexuarat