
Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që shkelin lejet, monitorim 24 orë me kamera kantiereve
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ‘represive’ ndaj ndërtuesve që nuk zbatojnë besnikërisht projektet dhe lejet e ndërtimit.
Qeveria do të krijojë një listë të zezë për ndërtuesit që shkelin lejet, ata do të përjashtohen nga marrja e lejeve të reja, deklaroi kryeministri Rama gjatë prezantimit të një start-up-i inovativ nga të rinj shqiptarë, i cili synon të krijojë mundësi të reja financimi për sektorin e ndërtimit.
Kreu i qeverisë u ndal te problematika që lidhet me devijimet nga projektet e miratuara në procesin e ndërtimit.
Të gjitha kantieret do të pajisen me kamera sigurie për monitorim 24 orë.
“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë: si do të arrijmë që projektet t’i realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për t’i filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volumet. Këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë.
Këtë vit do ta çojmë më tutje. Në dy-tre vitet në vijim do ta bëjmë intensive pjesëmarrjen tonë në panaire të mëdha të real estate, të pasurive imobiliare, për të prezantuar projekte, investimet potenciale, për të prezantuar investitorët, palët e tjera të interesuara. Nga ana tjetër, kjo kërkon garanci. Garancia është realizimi i projekteve në mënyrë besnike. Ne do të bëjmë çmos që nga ana jonë të ndërtojmë një plan masash të reja represive, që do duhet të balancojnë pjesën e gjithë mbështetjes dhe të gjithë kanaleve të reja që do përpiqemi të hapim për ju dhe industrinë e ndërtimit — karrota nga njëra anë, shkopi nga ana tjetër. Në të kundërt, e kemi të pamundur; mund të humbasim një shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar.
Këto projekte të mëdha s’mund t’i realizojmë siç duhet duke u mbështetur te shitja “në gropë”, te kleringu dhe blerësit e rastësishëm brenda vendit. Listë e zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje. Kantieret e ndërtimit do kenë kamera 24 orë; kjo gjë do t’ju vlejë edhe juve në ndjekjen e punës dhe praktikën tuaj. Është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit.”
Kompanitë që kanë më shumë se 100 punonjës do të kenë të detyrueshme praninën e departamentit të inovacionit, deklaroi Rama.
“Në një program monitorimi përmes AI mund të ndiqet kantieri nga larg dhe të shihet puna në raport me projektin. Po përfundojmë qendrën e monitorimit me dronë të integruar edhe me satelitët, do t’ju sugjeroja të shihnit se çfarë bëhet në këtë godinë për të pasur një sens të kompanive tuaja që të angazhojnë dhe një ekip për inovacionin. Të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës do ta vendosim të detyrueshëm një departament të inovacionit.”
/Monitor (https://monitor.al/kryeministri-rama-liste-e-zeze-per-ndertuesit-qe-shkelin-lejet-devijojne-projektet/)
Më të lexuarat








