Secondary Adv

Subvencionet e ujësjellësve, metodologjia: Kompensim për familjet në nevojë dhe energjinë

Ujësjellësit që përfitojnë çdo vit subvencione nga buxheti i shtetit do të marrin edhe gjatë këtij viti këtë fond sipas metodologjisë të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kjo metodologji “Për kriteret dhe procedurat për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për vitin buxhetor 2025” nënvizon se kompensimet për familjet në nevojë dhe fatura e energjisë e ujësjellësve do të kenë prioritet.

 

Kështu subvencioni  do të  shpërndahet nga Agjencia Kombëtare  e Ujësjellës-Kanalizimeve në masën e planifikuar në ligjin vjetor të buxhetit, në  përputhje  me zërin buxhetor subvencione.

 

Subvencioni sipas do të  shpërndahet  vetëm për të subvencionuar konsumin e kategorive në nevojë të cilët përfitojnë   nga kompensimi për konsumin e sasisë minimale jetike të ujit të pijshëm, janë subjektet e parashikuara nga neni 7 i ligjit 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Këto kategori kompensohen në masën 100% për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 m3/muaj (pesë metër kub në muaj) ujë të pijshëm për kontratë, për të  përmbushur  nivelin  minimal   jetik.

 

“Për këto kategori do të subvencionohet edhe  tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve  dhe  e  trajtimit  të  ujërave  të ndotura urbane. Zbritja për kategoritë e përcaktuara në pikën 3 të këtij udhëzimi bëhet automatikisht në faturën mujore të gjeneruar nga shoqëria përkatëse ujësjellës-kanalizime. Kompensimi  jepet  vetëm  një  herë  për  një familje,  pavarësisht  nëse  ato  mund  të  kenë  në përbërje persona që përfshihen në më shumë se një nga  grupimet  e  pikës  3  të  kësaj  Metodologjie, apo kanë në përbërje më shumë se një anëtar që i lind e drejta e përfitimit” thuhet në metodologji.

 

Po kështu e njëjta saktëson se një pjesë e fondit do të shkojë për subvencionimin e faturave të energjisë por kjo vetëm tek ato ndërmarrje që kanë 75 për qind të volumit të prodhimit me ngritje mekanike. Detyrimet e energjisë janë kthyer në problem për ndërmarrjet e ujësjellësve duke krijuar qindra milionë euro.

 

Në fund të 5-mujorit të parë 2025 borxhet e UK-ve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) u rritën më tej në 33.3 miliardë lekë ose 2.6 miliardë ose 8.4% më shumë se një vit më parë në këtë periudhe. Subvencionet që janë dhënë për ujësjellësit ndërkohë në vitin 2024 ishin rreth 3.5 milionë euro.

 

/Monitor (https://monitor.al/subvencionet-e-ujesjellesve-metodologjia-kompensim-per-familjet-ne-nevoje-dhe-per-energjine/)


Më të lexuarat