Kodi i ri Penal pesëfishon gjobat për kontrabandën dhe shkeljet e tjera doganore
Kodi i ri Penal sjell ndryshime thelbësore në qasjen ndaj veprave penale në fushën e doganave.
Duke vendosur ndëshkime më të ashpra për personat juridikë që përfshihen në kontrabandë, evazion doganor apo shkelje të regjimeve të përjashtimeve dhe tranzitit.
Sipas nenit 625, çdo subjekt juridik që kryen një nga veprat penale të parashikuara në kreun për veprat penale në fushën e doganave, ndëshkohet me gjoba që shumëfishojnë detyrimin doganor të papaguar:
Më konkretisht, mbi pesëfishin e detyrimit të papaguar, në rastet e kontrabandës me mallra apo edhe dhe evazionit fiskal me fondet e BE-së, të parashikuara në nenet 609, 610 (evazioni me fondet financiare të BE-së), dhe 615 (kontrabanda e mallrave përfshirë mallrat e ndaluar).
Deri në pesëfish, për veprat e nenit 617 (mosrespektimi i regjimit të transitit), nenit 618 (qarkullimi dhe keqpërdorimi i regjimit të përdorimit përfundimtar të mallrave pa paguar detyrimet e importit) dhe nenit 619 (largimi i mallrave nga zona doganore pa paguar detyrimet).
Nga dyfishi deri në trefish, për shkelje që lidhen me magazinimin e përkohshëm ose regjim doganor, të parashikuara në nenin 616, ku mallrat vendosen në sistem pa u deklaruar plotësisht apo përmes dokumenteve të rreme, për të përfituar padrejtësisht ulje apo përjashtim nga taksat.
Në rastet më të rënda, kur veprat penale kryhen në mënyrë të përsëritur, në bashkëpunim me rrjete të krimit të organizuar, apo kur përmes skemave të import-eksportit të ligjshëm realizohet shmangie në shkallë të gjerë, gjykata ka të drejtë të marrë masën më ekstreme mbylljen e përhershme të aktivitetit të personit juridik.
Për veprat më pak të rënda, gjykata mund të aplikojë masa alternative, të cilat synojnë parandalimin e përsëritjes së shkeljeve. Këto përfshijnë caktimin e një mbikëqyrësi ligjor, detyrimin për masa organizative brenda 3 muajve për të garantuar zbatimin e ligjit, ndalimin e marrjes së ndihmës shtetërore apo hyrjes në marrëdhënie me sektorin publik, publikimin e vendimit gjyqësor, si formë ekspozimi publik.
Për herë të parë, Kodi Penal adreson në mënyrë të strukturuar dhe proporcionale rolin e përgjegjësinë penale të personit juridik për shkeljet që cenojnë interesin publik dhe rregullsinë ekonomike të vendit. /ekofin.al