Secondary Adv

Depozitat në qershor, rriten në lekë, bien në valutë

Kursimet në lekë kanë shënuar një rritje të fortë në muajin qershor, pas një ecuri të dobët gjatë tre muajve të kaluar. Në të kundërt, depozitat në euro kanë shënuar rënie.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur, se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit qershor ishte 655 miliardë lekë, me një rritje prej 1.54%, ose rreth 10 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm, duke shënuar rritjen më të fortë që nga janari, kur tradicionalisht ka më shumë kursime që hyjnë në banka.

 

Në ecurinë e qershorit ka ndikuar si rritja e depozitave të korporatave financiare, që janë zgjeruar me 3.5 miliardë lekë, ose 3.775% më shumë. Edhe kursimet e rezidentëve kanë vijuar tendencën rritëse, duke u shtuar me 4.1 miliardë lekë, ose 1.7%.

 

Me bazë vjetore (qershor 2025/qershor 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 11%, ose gati 64 miliardë lekë më shumë.

 

Ndryshe nga muajt e tjerë, kur euro ishte një monedhë e preferuar për të kursyer, në qershor tendenca ka qenë në tkurrje të lehtë ndonëse tradicionalisht me fillimin e sezonit turistik shtohen kursimet në banka.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët ishte 8.1 miliardë euro në fund të muajt qershor, me një rënie të lehtë prej 10 milionë eurosh.

 

Rënia është ndikuar si nga korporatat private e publike, ashtu dhe individët.

 

Me bazë vjetore (qershor 2025/qershor 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.5%, ose 564 milionë euro më shumë.

 

Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të qershorit, stoku total i depozitave ishte 1.39 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 87 miliardë lekësh, ose 7% më shumë.

 

Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro.

 

Të matura sipas monedhave përkatëse, në një vit depozitat në lekë janë rritur me 64 miliardë lekë (rreth 560 mln euro) dhe ato në euro me 564 milionë euro, me një total prej 1.17 miliardë euro që janë shtuar në sistem për një vit.

 

/Monitor (https://monitor.al/depozitat-ne-qershor-rriten-dne-leke-bien-ne-valute-ne-nje-vit-1-2-miliarde-euro-me-shume-kursime/)


Më të lexuarat