Secondary Adv

Kodi i ri Penal zgjeron dënimet për ndërtimet pa leje dhe abuzimet me planifikimin urban

Kodi i ri penal, i propozuar vetëm pak ditë më parë, lehtëson disa prej dënimeve, por gjithashtu shton gamën e veprave penale, përfshirë ndërtimet në zonat turistike.

Gjithashtu, detajon shkeljet dhe dënimet mbi veprimtarinë e funksionarëve publikë dhe profesionistëve në fushën e ndërtimit dhe mjedisit.

 

Sipas nenit 587 të propozuar, çdo ndërtim i bërë pa leje ose mbi një leje të shfuqizuar, konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj (nga 1 vit që është aktualisht) nëse kryhet në tokën në pronësi të vet. Në rast se ndërtimi bëhet për qëllime strehimi, ai dënohet vetëm me gjobë. Kodi i mëparshëm parashikonte gjobë ose 3 muaj burg për këtë vepër penale.

 

Por kur ndërtimi pa leje ndodh në tokë publike apo në pronësi të një tjetri, dënimi shkon deri në 3 vjet burg. Dispozita aktuale parashikon nga 1 – 5 vite burg.

 

Ligji shton për herë të parë parashikimet për ndërtimet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, zonat e mbrojtura ose zonat e rëndësisë kombëtare të trashëgimisë kulturore, e cila dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në pesë vjet. Në këto raste, ndërtimet i nënshtrohen konfiskimit.

 

Koncept i ri janë gjithashtu, ndërtimet shtesë përtej lejes apo mbi struktura ekzistuese pa leje. Këto ndërtime përkufizohen si të paligjshme dhe trajtohen si të tilla për qëllime të masës së dënimit.

 

Favorizimet dhe dhënia e ndihmës

 

Dispozitat e reja parashikojnë për herë të parë edhe dënimet për zyrtarët publikë që favorizojnë ndërtimet pa leje. Ata që miratojnë instrumente planifikimi apo japin licenca në kundërshtim me ligjin, ose fshehin shkeljet gjatë inspektimeve, dënohen me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet.

 

Po ashtu, personat që ofrojnë shërbime ndërtimi, mbikëqyrjeje apo zbatimi për objekte të paligjshme, dënohen me gjobë ose deri në 3 vjet burg.

 

Lejimi i punimeve të ndërtimeve të paligjshme nga ndërtuesit, investitorët ose teknikët drejtues, në toka të destinuara për rrugë, zona të gjelbra, pasuri publike ose vende të cilëve iu është njohur ligjërisht ose administrativisht vlera e tyre e peizazhit, ekologjike, artistike, historike ose kulturore, ose që gëzojnë mbrojtje të veçantë, prej zyrtarit publik te ngarkuar me ruajtjen e tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.

 

Ashpërsohet dënimi për projektimet, mbikëqyrjet dhe kolaudimet 

 

Sipas dispozitës së ndryshuar, projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i ndërtimeve në kundërshtim me ligjin dënohet me burg nga 2 deri në 5 vjet, nga 1 – 5 që ishte më parë.  I njëjti dënim zbatohet edhe për ata që nxisin apo detyrojnë profesionistët e ndërtimit të shkelin ligjin. Në rast se nga këto veprime shkaktohen pasoja të rënda materiale apo rrezikohet jeta dhe shëndeti i njerëzve, autori ndëshkohet sipas dispozitave përkatëse, në varësi të formës së fajit, ndërkohë Kodi aktual parashikon si masë dënimi 10- 15 vjet burg në këtë rast.

 

Dispozitat e reja për rrethanat cilësuese dhe dënimet plotësuese për shkeljet mjedisore

 

Sipas draftpropozimit, në rast se një nga veprat penale të parashikuara kryhet në rrethana të veçanta, si dëmtimi i një sipërfaqeje me rëndësi, shkaktimi i pasojave serioze të erozionit, ndikimi i ndjeshëm në jetën e kafshëve e bimëve, dëmtimi i zonave të mbrojtura ose burimeve natyrore, apo kryerja e veprës për përfitim ekonomik, dënimi rritet deri në një të dytën mbi masën e parashikuar në dispozitat përkatëse.

 

Po kështu, kur shkeljet penale mjedisore kryhen nga profesionistë të fushës së ndërtimit, si projektues, zbatues apo kolaudues, gjykata mund të vendosë ndalimin për ushtrimin e profesionit përveç dënimit kryesor. Po ashtu, në rastet kur vepra kryhet nga një person juridik, mund të ndalohet për 10 vjet përfitimi nga ndihma shtetërore, kontratat publike apo lehtësirat fiskale.

 

Gjykata urdhëron edhe zëvendësimin e dëmit, konfiskimin e përfitimeve të paligjshme dhe, kur është e nevojshme, prishjen e veprës e rikthimin e mjedisit në gjendjen fillestare me shpenzimet e autorit. /ekofin.al


Më të lexuarat