Rama: Rregullore Kombëtare për hapësirën publike, së shpejti për konsultim
Shqipëria do të ketë një rregullore kombëtare të hapësirës publike, me qëllim zhvillimin e kontrolluar të saj.
Lajmi është bërë I ditur nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale. Sipas tij, projekt-rregullorja së shpejti do të konsultohet me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël.
Gjatë muajit qershor në të gjithë vendin ka nisur lirimi i hapësirave publike të zëna abuzivisht kryesisht nga biznese, por edhe sipërmarrës. Ky aksion shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike.
Ndërkohë, ky aksion është shtrirë edhe në rrugët kombëtare. Sot është afati i fundit për të gjitha subjektet tregtare të vendosura pranë akseve kombëtare që të zhvendosen vetë nga hapësira që kanë zaptuar dhe që është kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Pas këtij afati parashikohen ndëshkime për të gjitha subjektet të cilat kanë refuzuar zbatimin e këtij vendimi.
Një ditë më parë, gjatë një inspektimi në aksin rrugor Kamëz-Laç, zv/kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përsëriti edhe një herë thirrjen drejtuar bizneseve që të tregohen bashkëpunues në këtë nismë.
Balluku paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për asnjë subjekt duke theksuar se siguria rrugore mbetet një prioritet i vazhdueshëm.
“Kemi informuar një javë më parë, i kemi bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe subjekteve që ndodhen në zonat e akseve kombëtare për të marrë masa dhe për të liruar hapësirat, duke qenë se janë shkelur në shumë raste, sidomos në rastin e varrezave të automjeteve, aty ku rrinë automjete të cilat tregtohen për pjesë këmbimi apo edhe për arsye të tjera që sipas një akti normativ të vitit 2011 duhet të qëndrojë 1 kilometër larg rrugës kombëtare”, deklaroi Balluku.
Gjithashtu, zv/kryeministrja Balluku ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast ku evidentohen shkelje të hapësirave publike. /Scan