Secondary Adv

Raporti i Dhomës Amerikane: Bie besimi tek bizneset, gjetja e stafit sfida kryesore

Klima e të bërit biznes në Shqipëri nuk ka qenë shumë e favorshme në 2024.

Kështu e ka vlerësuar  Dhoma Amerikane e Tregtisë mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas. Megjithatë, sipas anëtarëve të saj, klima e biznesit pritet të përmirësohet në 2025.

 

Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) për vitin 2024 arriti në 46.47 pikë nga 100, duke shënuar një rënie prej -1.10 pikë krahasuar me 47.57 pikë, që ishte në vitin 2023, sipas publikimit të Amcham.

 

Vlerësimi i drejtpërdrejtë i anëtarëve të AmCham për klimën e biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2024 mbeti pothuajse i njëjtë, me 46.36 pikë.

 

Pesë shqetësimet kryesore të raportuara nga kompanitë anëtare për vitin 2024 vazhdojnë të jenë:

– Gjetja e stafit të kualifikuar vendas

– Monopolet dhe konkurrenca e pandershme

– Ekonomia informale

– Burokracia qeveritare

– Niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara

 

Pavarësisht një përmirësimi të lehtë, vështirësia për të gjetur staf të kualifikuar lokal u raportua nga 73.3% e kompanive pjesëmarrëse si një nga problemet më serioze.

 

Në vitin 2024, perceptimi negativ për “Monopolet dhe Konkurrencën e Pabartë” ka rënë me -3.20 pikë, për “Ekonominë Informale” me -1.44 pikë dhe për “Korrupsionin” me -1.66 pikë.

 

Nga ana tjetër, “Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” janë perceptuar pozitivisht nga kompanitë, ndërsa infrastruktura ka pësuar një përmirësim të lehtë me +0.60 pikë.

 

Megjithëse marrëdhënia me autoritetet publike është perceptuar si kryesisht pozitive gjatë 2024-ës, disa indikatorë kanë shënuar rënie:

-Marrëdhëniet me ministritë: -1.35 pikë

-Marrëdhëniet me pushtetin vendor: -2.87 pikë

-Marrëdhëniet me gjykatat: -3.50 pikë

 

Perceptimi për “Performancën e Ekonomisë Shqiptare” ka shënuar rënie me -3.05 pikë, i shoqëruar nga një ulje në kërkesën për mallra dhe shërbime me -3.83 pikë.

 

Megjithatë, treguesi për kërkesën për mallra dhe shërbime në eksport është rritur ndjeshëm me +4.69 pikë.

 

Biznesi vlerëson si më pak problematike furnizimin me energji, rendin dhe sigurinë publike, marrëdhëniet me doganat dhe ato me tatimet.

 

Për vitin 2025, anëtarët e AmCham shprehen optimistë, duke parashikuar një përmirësim të klimës së biznesit, rritje të kërkesës për mallra e shërbime, dhe zhvillime pozitive në politikat ekonomike dhe reformat e qeverisë qendrore. 

 

/Monitor (https://monitor.al/bie-indeksi-i-besimit-te-biznesit-te-amcham-gjetja-e-stafit-mbetet-problemi-kryesor/)


Më të lexuarat