
Kredi me zero interes për familjet në nevojë, procedurat dhe kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim në mbështetje të familjeve në nevojë për strehim, duke përcaktuar procedurat dhe dokumentacionin për përfitimin e kredisë me interes 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit.
Këshilli i Ministrave miraton vendimin që përcakton në mënyrë të detajuar institucionet përgjegjëse, procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë familjet për të përfituar kredi për banesë me interes 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit. Skema zbatohet përmes Entit Kombëtar të Banesave (EKB) dhe synon të ndihmojë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë për të siguruar strehim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm.
Kush përfiton?
Vendimi parashikon tri kategori kryesore përfituese:
-Familjet që jetojnë si qiramarrës në ish-pronë private, të cilat kanë mbetur pa strehë pas rikthimit të pronave te pronarët e ligjshëm.
-Familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, që trajtohen me prioritet për shkak të sakrificës së bërë.
-Fëmijët në përkujdesje të Republikës, që ndodhen jashtë mbështetjes familjare dhe kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për strehimin.
Aplikimi dhe dokumentet
Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari/kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.
Familjet qiramarrëse në ish-pronë private
Familjet qiramarrëse në ish-pronë private, përveç dokumentacionit më sipër duhet të ngarkojnë edhe autorizimin ose dokumentin e lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes, nëse disponon; Certifikatën apo vërtetimin e pronësisë në favor të pronarit ose vendimin e gjykatës, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë; Vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi; Vërtetimin nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh; Certifikatën e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992.
Procedura
Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.
Për fëmijët në përkujdesje të Republikës, përveç dokumentacionit të parashikuar, duhet të ngarkojnë edhe Certifikatën personale të fëmijës me fotografi të tre muajve të fundit ose fotokopje të dokumentit të identifikimit; Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të familjarit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të fëmijës; Prokurën e posaçme, në rastin kur kërkuesi është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor i fëmijës.
Individët/familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0 (zero) % qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.
Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 (zero) %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 (dhjetë) ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen: e strehimit; familjare; sociale.
Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.
Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0 interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.
Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme; mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese. /ekofin.al
Më të lexuarat








