
Rama: Rregullore e re për ndërtuesit, të marrin masa për kantieret
Kryeministri Edi Rama në një komunikim në rrjetet sociale flet për zaptimin e hapësirave publike.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër mesazh në kuadër të reformës së re për hapësirat publike dhe respektimin e rregullave urbanistike, duke vënë theksin këtë herë tek kantieret e ndërtimit në zonat e banuara.
Në një deklaratë të bërë në vijim të komunikimeve publike për rregullsinë në hapësirën e përbashkët, Rama theksoi se ndërtuesit nuk mund të kthehen në problem për banorët e zonës, por duhet të marrin të gjitha masat që aktiviteti i tyre të jetë sa më pak i ndjeshëm për komunitetin.“Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problemi i zonës. Duhet të marrë masa që zona përreth të mos e ndjejë fare ose ta ndjejë shumë pak. Kantiere të rrethuara, pa zaptim të trotuareve, me kalime për këmbësorët – këto janë gjëra bazike,” theksoi Kryeministri.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të miratohet një rregullore e re për ndërtuesit, e cila do të përcaktojë detyrime të qarta për menaxhimin e kantiereve në zonat urbane. Mosrespektimi i këtyre rregullave do të sjellë, sipas tij, masa drastike.
“Nuk po bëjmë vetëm një pastrim të platformave dhe tendave, por edhe një kontroll të kantierëve. Sepse kantieret nuk dalin në televizor, por janë një burim i përditshëm shqetësimi për qytetarët,” shtoi Rama.
Kryeministri përmendi gjithashtu rezistencën që, sipas tij, vjen nga aktorë të ndryshëm që përpiqen të shmangin drejtësinë, duke përfshirë edhe vendime të dyshimta nga disa gjyqtarë.
“Kemi bërë konfiskime dhe do vazhdojmë. Edhe pse ndonjë i pacipë del e merr masa sigurie për pallate të ndërtuara pa leje që janë konfiskuar nga shteti. Kjo është një vepër penale, jo një mosmarrëveshje civile,” u shpreh ai, duke iu referuar një qëndrimi ndaj gjykatësit Hazbi Balliu për të cilin postoi vetëm pak më parë në Facebook.
Fjala e Rames
"E rëndësishme të kuptohemi se nuk është ideja hajde o burra të ndëshkojmë. Do hiqen të gjitha të tëra, do hiqen hap pas hapi. Është gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në proces duke çuar denoncime. Do hapet edhe një adresë e posaçme, portal hapësira ime. Duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtohesh përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit, kemi vendos plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por nuk jemi më mirë se sa duhet.
Do të jenë ndëshkime të atilla, që mos ti shkojë mendja njeri të fillojë lojën nga e para. Mbrapa vjen rilindja urbane 2.0 jemi duke ngritur grupe që këto hapësira ti kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin, pastrojmë tek 21 dhjetori, tek komuna e Parisit, por nuk mundet që gjërat të mbeten ashtu duhet të ndërhyjmë më projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike.
Ata që kanë prona që i përdorin si parkim e të paligjshme janë të ftuar të vijnë të marrin leje dhe të ndërtojnë parkime, me 2 apo 3 kate që mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen. S’ka për tu lejuar asgjë selektive, tentativat do bëhen, dikush do mbyllë sytë, por nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet." - tha ai.
Më të lexuarat








