Rritet besimi në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve, ulet ai i ndërtuesve dhe i konsumatorëve
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 2.9 pikë në muajin korrik, duke qëndruar rreth 9 pikë mbi mesataren afatgjatë.
Në rritjen e tij këtë muaj ndikoi kryesisht përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë. Në të njëjtin drejtim ndikoi dhe përmirësimi në sektorin e industrisë, megjithëse në një masë më të ulët.
Në të kundërt, rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe rënia e besimit konsumator dhanë kontribut negativ në treguesin e ndjesisë për ekonominë.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 0.8 pikë përqindje, duke qëndruar 6.5 pikë përqindje mbi mesataren historike në muajin korrik. Përmirësimi u përcaktua kryesisht nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse të bizneseve. Në të kundërt, vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial aktual rezultoi me ulje. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë vijuar prirjen rënëse edhe këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 6.2 pikë përqindje në muajin korrik, duke arritur nivelin më të lartë për këtë vit. Niveli aktual i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike. Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të
aktivitetit të tyre dhe për nivelin e kërkesës. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen u rishikuan lehtë për poshtë.
Treguesi i besimit në tregti u rrit me 3.3 pikë përqindje në muajin korrik, duke arritur një nivel rreth 7.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritje ndikuan kryesisht pritjet optimiste të bizneseve për nivelin e punësimit në të ardhmen. Në një masë më të vogël ndikoi pozitivisht
edhe komponenti i ecurisë aktuale të biznesit. Pritjet për çmimet në të ardhmen regjistrojnë të njëjtin nivel me muajin e kaluar dhe shumë afër mesatares historike të serisë.
Treguesi i besimit në ndërtim ra me 1 pikë përqindje në muajin korrik. Pavarësisht kësaj, niveli i treguesit qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike. Rënia këtë muaj u përcaktua nga
vlerësime më të ulëta të bizneseve për aktivitetin ndërtues aktual dhe pritje më të ulëta për porositë kontraktuese. Pritjet për çmimet u rishikuan për poshtë.
Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 0.9 pikë përqindje në korrik, duke mbetur gjithsesi mbi mesataren historike dhe afër nivelit mesatar të shënuar gjatë vitit 2024. Në rënien e këtij muaji kontribuoi kryesisht komponenti i blerjeve të mëdha aktuale. Nga ana tjetër, pritjet për blerje të mëdha në të ardhmen u përmirësuan, duke dhënë kontribut pozitiv
në treguesin e agreguar për konsumatorët. Për sa i përket komponentëve të gjerë, pritjet e konsumatorëve për gjendjen e tyre financiare u përmirësuan ndërsa pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike shënuan rënie.