
Kosova heq tarifën 10 për qind ndaj produkteve amerikane
Kosova ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind për produktet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Albin Kurti tha se të gjitha produktet e SHBA-së që do të hyjnë në Kosovë do të kenë tarifë 0 për qind.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.
“Tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.
Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.
Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.
Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.
Ndërkohë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte kërkuar me 10 prill që kjo tarifë prej 10% të largohet
Osmani pati treguar se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.
Osmani tha se pezullimi i tarifës ndaj mallrave amerikane do të ishte “hap i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë”.
Sipas saj, kjo do të dërgonte edhe “një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte dy vendet tona më të fuqishme, sigurta dhe begatshme”.
Me vendimin e ri për tarifat, që do të zbatohet prej 7 gushtit, vendet tjera të Ballkanit janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.
Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.
Trump, fillimisht, i pati bërë publike tarifat në prill, por më pas i ka pezulluar ato për 90 ditë, që të mundësojë zhvillimin e negociatave me palët e interesuara.
Kur tarifat ishin përmendur për herë të parë, ekspertët në Kosovë patën vlerësuar se ato do të kenë shumë ndikim për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Organizatat ekonomike në Kosovë kanë treguar se nga viti 2019, ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë (2022).
Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Ditë më parë, Ambasada amerikane në Prishtinë patën thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.
/Monitor (https://monitor.al/kosova-heq-tarifen-10-ndaj-produkteve-amerikane/)
Më të lexuarat








