
Ligji antiduhan, gjobiten 13 institucione shteterore
Rreth 12 mln lekë në total. Tri penalitete për subjektin, konsumatorin dhe përgjegjësin. Zbatimi i ligjit antiduhan po jep rezultate si rrallë ndonjëherë. Në pjesën më të madhe të restoranteve, kafeneve apo në ambiente të tjera publike, ku duhanpirja ndalohet me ligj, nuk të zë syri persona që konsumojnë duhan. Megjithatë, përpos detyrimeve që parashikon ligji, nuk përjashtohen shkelësit, pjesë e të cilëve janë jo vetëm subjektet private, por edhe institucionet shtetërore.
Nga data 9 shtator, muaj kur nisi zyrtarisht zbatimi i ligjit të ndryshuar antiduhan, mësohet se janë gjobitur disa subjekte private dhe 13 institucione shtetërore, shumë që arrin në vlerën e 120 milionë lekëve në total. Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, bën me dije se deri më tani, numrin më të madh të shkelësve e përbëjnë institucionet shtetërore.
Gjobat per 13 institucione shteterore
Ministria e Transporteve, e Jashtme, e Arsimit dhe Sportit, qendra kombëtare e regjistrimeve (QKR), Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Tiranës, Gjykata e Tiranës, spitali “Shefqet Ndroqi”, ndryshe i njohur si Sanatoriumi, spitali i traumës dhe 4 qendra shëndetësore. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Shqip”, në spitalin e traumës janë gjobitur dy infermiere, me nga 50 mijë lekë secila, për shkak se kanë pirë duhan në ambientet e brendshme të këtij spitali si edhe kryeinfermierja e cila është ndëshkuar me 500 mijë lekë, për shkak se ose i ka lejuar zonjat të konsumojnë duhan ose nuk ka qenë në dijeni të faktit, edhe pse në këtë rast konsiderohet personi përgjegjës. Ndërkohë, në Prokurorinë e Tiranës është gjobitur një oficer i policisë gjyqësore, ndërsa në Gjykatën e Tiranës është ndëshkuar me gjobë, për moszbatim të ligjit antiduhan një gjyqtar. Për sa utakon institucioneve të tjera shtetërore, të renditura në listën e “zezë”, mësohet se shkak për gjobitjen e tyre është bërë fakti që në disa mjedise të brendshme të tyre nuk afishohen njoftimet që tregojnë se ndalohet konsumimi i duhanit.
Gjobat per subjektet private
Gjoba prej 120 milionë lekësh u është vënë vetëm subjekteve private dhe institucioneve shtetërore në Tiranë, ndërsa nuk përjashtohen edhe ndëshkimet që regjistrohen në qytetet e tjera të vendit, numri dhe gjoba e të cilëve nuk dihet ende me saktësi, pasi rezultatet konkrete pritet të bëhen publike në fund të muajit. “Vetëm dje në kryeqytet janë vendosur 5 gjoba, ndërsa të dhënat nga qytetet e tjera të vendit i presim në fund të muajit, kur do të bëhet edhe bilanci i qartë i të gjitha të dhënave”, tha Deda. Sipas tij, deri më tani janë vënë të tri llojet e gjobave që parashikon ligji, konkretisht: 3 milionë lekë për institucionin, 50 mijë lekë për duhanpirësin dhe 500 mijë lekë për përgjegjësin.
Sipas kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, shkak për vendosjen e gjobave të deritanishme në kryeqytet, është jo vetëm kapja në flagrancë e personave që pinin duhan në biznese apo në institucione shtetërore, por edhe moszbatimi i disa prej neneve, të parashikuara në ligj siç janë afishimet në vende të dukshme të njoftimeve me logon e ndalimit të duhanit apo të rregullores së institucioneve shtetërore a bizneseve, ku duhet të listohen shkeljet dhe gjobat për secilën prej tyre, në mënyrë që konsumatorët të jenë të informuar për pasojat e veprimeve që bien në kundërshtim me ligjin antiduhan. Bazuar në ligj, afati zyrtar që kanë në dispozicion shkelësit për të bërë pagesën e gjobës, vlerë parash që do t’i bashkohet buxhetit të shtetit, është 30 ditë, ndërsa pas kësaj do të fillojë kamatëvonesa.
Kryeinspektori Deda deklaron se deri më tani ligji është respektuar dhe se zbatimi i tij po monitorohet rregullisht. Ndër të tjera, thekson se përveç monitorimit të inspektorëve, në dispozicion të qytetarëve është edhe numri i gjelbër 08004040, ku qytetarët mund të denoncojnë personat apo ambientet publike ku pihet duhan, edhe pse bie në kundërshtim me ligjin./ Gazeta Shqip
Më të lexuarat








